Deniz Dërralla dhe Merita Gurabardhi janë anëtarët e rinj të Bordit të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare.
Dy emrat u votuan nga Kuvendi i Shqipërisë, ndërsa znj. Gurabardhi do të mbajë edhe postin e Nëndrejtorit Ekzekutiv të institucionit.
“Bordi” është organi kolegjial dhe vendimmarrës i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Bordi i Autoritetit mblidhet të paktën një herë në muaj, ndërsa mbledhja thirret me nismën e Kryetarit të saj.
Struktura e AMF:
I krijuar në vitin 2006, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) është institucion publik, i pavarur nga ekzekutivi, përgjegjës për rregullimin dhe mbikëqyrjen e sistemit financiar jobankar dhe operatorëve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë sektor.
Fusha kryesore e veprimtarisë së Autoritetit është rregullimi dhe mbikëqyrja:
- e tregut të sigurimeve dhe operatorëve të tij;
- e tregut të titujve dhe operatorëve të tij;
- e tregut të pensioneve private vullnetare dhe operatorëve të tij;
- e veprimtarive të tjera financiare jobankare.
Funksioni i Autoritetit është që me anë të mjeteve ligjore, administrative dhe të informacionit, të mbrojë konsumatorët, si dhe të ruajë stabilitetin e transparencën në fushën e sigurimeve, titujve dhe pensioneve private vullnetare.
Aktiviteti i AMF karakterizohet nga profesionalizmi, transparenca dhe standardi i lartë i shërbimit për të gjitha grupet e interesit.