Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) po shton dhe ashpërson raportimet që duhet të bëjnë shoqëritë administruese të fondeve të pensionit privat lidhur me pasqyrat e tyre financiare.
Së shpejti, pritet të zbatohet një rregullore e re nga këto shoqëri.
AMF ka nxjerrë për konsultim publik një projektrregullore e cila ka për synim të përcaktojë rregullat lidhur me formën, përmbajtjen dhe afatet kohore të raportimit të pasqyrave financiare dhe raporteve të tjera të shoqërisë administruese, fondit të pensionit privat dhe depozitarit në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Këto shoqëri do të informojnë më tepër Autoritetin dhe përdoruesit e tjerë të jashtëm në lidhje me gjendjen financiare dhe rezultatet e aktivitetit të tyre.
Aktualisht, në tregun e fondeve të pensioneve private operojnë 6 fonde, nga 5 që operonin në vitin 2023 dhe 4 në vitin 2022.
Rritja e lartë e kërkesës nga individët për t’u përfshirë në skemat e pensionit privat është shoqëruar me një rritje të numrit të shoqërive administruese të fondeve të këtij lloj pensioni.
Pensioni privat është një pension shtesë krahas pensionit minimal shtetëror, duke krijuar mundësinë dhe ofruar sigurinë e një burimi të rregullt të ardhurash për ruajtjen e standartit të jetesës edhe pas largimit të përhershëm nga puna.