8.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitet"Thumanë-Kashar", i katërti më i shtrenjti nga 59 autostradat me pagesë në...

“Thumanë-Kashar”, i katërti më i shtrenjti nga 59 autostradat me pagesë në Europë

Autostrada Thumanë – Kashar, e cila u hap për trafikun pak ditë më parë, do të jetë një nga katër autostradat më të shtrenjta në Europë.

Revista “Monitor” ka përpunuar tarifat për kilometër të rreth 59 akseve me pagesë në të gjithë Europën me të dhëna të marra nga portali i tarifave të pagesave sipas shteteve https://www.tolls.eu/european-countries.

Në krahasim janë përfshirë vetëm autostradat me pagesë, një pjesë e të cilave kanë edhe tunele (duke përjashtuar tarifat për veprat e rralla inxhinierike të tilla si Kanali La Manshit, tunelet dhe urat në Belgjikë dhe Holandë etj, pasi nuk janë të krahasueshme me rrugën Thumanë -Kashar).

Thumanë–Kashar ka një gjatësi 21 kilometër, autostradë e tipit A me shpejtësi 130 km në orë, me një tarifë 2.1 euro pa TVSH ose 2.53 euro me TVSH ose 0.12 euro për kilometër.

Vlera e investimit është 271 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës, ndërsa ky segment është pjesë Korridorit Adriatiko -Jonian.

Nga viti 2024 deri në vitin 2031 kompania private fitimin e ka të garantuar, pasi është parashikuar që në rast se do të ketë një rënie të nivelit të të ardhurave, buxheti i shtetit do subvencionojë humbjen dhe nga buxheti i shtetit janë vënë në dispozicion 22.8 milionë euro garanci.

Thumanë-Kashar është aksi i dytë në vend pas asaj të ‘Rrugës së Kombit’, që bëhet me pagesë. Po ashtu me pagesë do të jetë kalimi edhe në ‘Tunelin e Llogorasë’.

Me këtë çmim për kilometër ajo është e katërta më e shtrenjta në mesin e 59 autostradave me pagesë në kontinent.

Autostrada “Cannock – Kingsbury” në Britaninë e Madhe renditet e para me 0.2 euro për kilometër. Aksi është 35 kilometër i gjatë dhe kushton 8.2 euro (7 paund).

Autostrada e dytë më e shtrenjtë në Europë është “Navan North – Kells” në Irlandë me 0.136 euro për kilometër. Aksi është 11 kilometër dhe kushton 1,5 euro.

Aksi i tretë më i shtrenjtë është gjithashtu në Irlandë “Springhill – Slieverue” me 0,125 euro për kilometër. Kjo autostradë është 16 kilometra dhe kushton 2 euro.

Të dhënat nga tarifat në autostradat me pagesë janë më të lartat në Britani, Francë dhe Itali, ndërsa më të lirat janë në Turqi, në Europën Lindore përgjithësisht në Rajonin e Ballkanit.

Për me tepër vendet e Europës që kanë çmime të larta të rrugëve me pagesë kanë më shumë se një alternativë të lirë për lëvizjen e njerëzve.

Në Europë, 11 vende nuk aplikojnë tarifa për automjetet që lëvizin në rrugë, ndërsa në vendet e Europës Lindore aplikohen tarifa në formën e aboneve ditore, mujore dhe vjetore.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat