Shqipëria parashikohet të përballet me një sezon turistik të rënduar edhe këtë vit.
Sipas shifrave që jep Instituti Ekonomik i “Mastercard”, Shqipëria mban vendin e tretë me më shumë rezervime, pas Tokios dhe Mynihut.
“Numri tre në listë, Tirana në Shqipëri gjendet pranë shumë hoteleve bregdetare dhe është veçanërisht shumë më miqësore me portofolin në krahasim me qendrat kryesore të turizmit në vendet e tjera bregdetare të Europës”, thuhet në raport.
Ndërkohë Tokio ka qenë historikisht një vend i vizituar dhe Mynihu do të presë këtë vit kampionatin europian të futbollit.
Shqipëria ka pasur një rritje të fortë të pasagjerëve edhe jashtë sezonit veror duke kaluar pritshmëritë e vetë raportit.
“Turizmi në Shqipëri është rritur fuqishëm, ku numri i linjave të fluturimeve është dyfishuar që nga viti 2019, ndërsa fluturimet ditore të regjistruara në prill të këtij viti ishin 2.4 herë më shumë se sa në prillin e vitit 2019, përpara pandemisë”, shkruan raporti.
Të dhënat tregojnë se deri në fund të muajit prill, në Rinas u regjistruan mbi 3 milionë pasagjerë, por hapja e sezonit veror pritet t’i trefishojë këtë numra.