Inteligjenca Artificiale po bëhet gjithmonë e më shumë pjesë e thuajse çdo sektori, përfshirë edhe atë financiar.
“Pavarësisht se te kjo e fundit është ende në fillimet e saj, monitorimi është i domosdoshëm, në mënyrë që të parandalohet dëmtimi i konsumatorëve dhe të sigurohet funksionimi i duhur i tregjeve”.
Kështu këshillon Banka Qëndrore Evropiane.
BQE ka vënë re një sërë përfitimesh nga përdorimi i Inteligjencës Artificiale, në banka dhe institucione të tjera financiare, të tilla si përpunimi më i lartë i informacionit, shërbimi më efikas ndaj klientit dhe madje edhe një aftësi më e madhe për të dalluar kërcënimet kibernetike.
Njëkohësisht, BQE paralajmëroi edhe për rreziqet, duke mos përjashtuar sulmet kibernetike më të sofistikuara.
Pikërisht për këtë arsye, kërkohet që zbatimi i Inteligjencës Artificiale në sistemin financiar, të monitorohet nga afër teksa teknologjia evoluon.
Bashkimi Evropian ka formuluar rregullat e para të inteligjencës artificiale në botë, të cilat do të detyrojnë sistemet e inteligjencës artificiale të jenë në përputhje me detyrimet specifike të transparencës dhe ligjet e BE-së për të drejtat e autorit.
Megjithatë, deri më tani, BQE tha se miratimi i sistemeve të tilla nga kompanitë financiare evropiane ishte “në fazat e para” dhe se ka ende shumë punë për të bërë.