11.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetPër pension të plotë duhet punuar 38 vjet, por pensionistët e rinj...

Për pension të plotë duhet punuar 38 vjet, por pensionistët e rinj kishin mesatarisht 26.8 vite kontribute

Periudha kontributive e pensioneve të reja po vjen në ulje nga viti në vit, duke iu larguar gjithnjë e më shumë kushtit për të përfituar pension të plotë.

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, personat që dolën në pension vitin e kaluar kishin mesatarisht 26.8 vite punë me sigurime nga 38 vite që duheshin për të përfituar pension të plotë. Në vitin 2014 kur nisi të zbatohej reforma e pensioneve, vitet mesatare kontributive ishin 33.4 dhe në vitin 2010 ishin 39.

Kjo ecuri po tregon se pjesa dërrmuese e pensionistëve të rinj, që futen në skemën e pensioneve, nuk plotësojnë kriteret që ligji ka për përfitimin e pensionit të plotë. Kjo dukuri bën që pensionistët e këtij brezi të paguhen më pak se ata që dolën në pension 10 vite më parë.

Vitin e kaluar 50% e totalit të pensioneve të pleqërisë ishin të pjesshme, një tregues që po rritet vit pas viti.

Ekspertët në sigurimet shoqërorë pohojnë se tani po del në pension brezi që ka punuar 30 vite në tranzicion dhe nuk ka paguar sigurime.

Shkalla e mbulimit me sigurime në popullsinë në moshë pune është shumë e ulët në Shqipëri.

Për shembull, në vitin 2023, sipas Institutit të Statistikës 1.86 milionë njerëz ishin të moshës 15-64 vjeç. Prej tyre vetëm rreth 44% ishin kontribuues në skemën e pensioneve dhe rreth 56% e popullsisë në moshë nuk ishin as kontribuues dhe as pensionistë.

Midis të vetëpunësuarve, një numër i vogël kontribuon në skemën rurale, ndërsa të vetëpunësuar të tjerë kontribuojnë në skemën kryesore dhe përbëjnë vetëm 10% e totalit të kontribuuesve, teksa vetëpunësimi zë gati 30% të punësimit total në vend. Shkalla e ulët e mbulimit të kontribuuesve ngre rrezikun për rritjen e fortë të pensioneve të pjesshme në të ardhmen.

Në njërën anë, pensionistët e rinj kanë gjithnjë e më pak vite me kontribute dhe nga ana tjetër, vit pas viti, bashkë me moshën e daljes në pension rritet edhe periudha e viteve me kontribute. Vitin e kaluar duheshin 38 vite sigurime për të përfituar pension të plotë dhe deri në vitin 2032 do të duhen 40 vite për të përfituar pension të plotë.

Por me ritmet aktuale, pensionistët shqiptarë nuk do të plotësojnë as gjysmën e viteve me kontribute duke bërë që pagesat e tyre në të ardhmen të jenë shumë të ulëta, gati sa pensioni minimal.

Pensionistet, që nuk përmbushin vitet e punës dhe nuk arrijnë të përfitojnë një pension të plotë pleqërie, po rriten me shpejtësi. Rritja më shpejtësi e përfituesve me pension të pjesshëm tregon se mosha e tretë rrezikon varfërinë e ekstreme, teksa inflacioni ka qenë i lartë dy vitet e fundit./Monitor

LEXO EDHEKriza e Pensioneve – Ja si e zgjidhi Europa!

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat