Aeroporti me fluksin më të lartë në Britaninë e Madhe, “Heathrow”, ka pësuar një humbje prej 3.4 miliardë paund që nga fillimi i pandemisë.
Shefi i Aeroportit ka paralajmëruar se trafiku ajror mund të mos kthehet plotësisht në normalitet deri në vitin 2026, pavarësisht shenjave se ka kërkesë të madhe për udhëtime.
John Holland-Kaye është shprehur për BBC se, aeroporti po pëson ende humbje, edhe pse rregullat ndërkombëtare të udhëtimit po lehtësohen.
Ai gjithashtu kritikoi rregullatorin e aviacionit për kufizimin e rritjes së tarifave për linjat ajrore që përdorin aeroportin Heathrow.
Linjat ajrore në Heathrow nxjerrin fitime të mira dhe investitorët duan të njëjtën gjë, tha ai.
Holland-Kaye tha se në aeroport kishte ende një trafik pasagjerësh prej rreth 45% të nivelit të vitit 2019.
“Kanë qenë padyshim 18 muaj të vështirë, por ne po fillojmë të shohim rimëkëmbje. Tani duhet të ketë stabilitet në rregullat e udhëtimit, në mënyrë që njerëzit të jenë të sigurt për udhëzimet që duhet të ndjekin”.
Aeroporti është përballur me kritika për radhët e gjata dhe mungesën e aftësisë për të përballuar rritjen e numrit të pasagjerëve. Por Holland-Kaye tha: “Ne po punësojmë njerëz për t’u siguruar që të mund të përmbushim kërkesën në rritje.
“Ne jemi ende në rreth 40% deri në 45% të niveleve para-pandemike, edhe në ditët më të ngarkuara”.
Heathrow po përpiqet të plotësojë vendet e lira të punës në sektorin e sigurisë dhe mirëmbajtjes së aeroportit.
Mungesa e stafit për kontrollin e pasaportave, ka shkaktuar radhë të gjata, dhe kjo është përgjegjësi e Forcave Kufitare, e cila është pjesë e Ministrisë së Brendshme.
Holland-Kaye tha se ishte e rëndësishme që aeroporti dhe investitorët e tij të mblidhnin para për të ndihmuar në financimin e rritjes.
Aktualisht, aeroporti ngarkon një tarifë deri në 22 paund për pasagjer për koston e operimit të terminaleve, pistave, sistemeve të bagazheve dhe sigurisë.
Aeroporti i Londrës deklaroi se numri i pasagjerëve në tremujorin e tretë u rrit në 28% dhe ngarkesat e mallrave në 90% të niveleve para pandemike, megjithëse ka humbur 3.4 miliardë paund që nga fillimi i pandemisë.
Heathrow, i cili vitin e kaluar humbi vendin e parë si aeroporti më i ngarkuar i Europës dhe vendin e tij e zuri Aeroporti i Parisit, ka pësuar humbje të mëdha gjatë pandemisë dhe kishte shpresuar se mund të shtonte fitimet duke rritur tarifat për linjat ajrore.