Termometri në Finlandë dhe Suedi ka arritur deri në -40 gradë Celsius teksa dy vendet skandinave raportuan temperaturat më të ftohta të këtij dimri deri më tani.
Sipas mediave ndërkombëtare, në disa zona temperaturat arritën në -41.6 gradë Celsius të martën.
“Është temperatura më e ftohtë që kemi pasur deri më tani këtë dimër dhe do të vazhdojë të jetë mjaft e ftohtë në veri”, u shpreh meteorologu i SVT, Nils Holmqvist.
Temperaturat e ngrira pasuan një vjeshtë më të ngrohtë se mesatarja në pjesën më të madhe të Evropës, e cila erdhi në kontekstin e vitit 2023 që u raportua si viti më i ngrohtë i regjistruar.
Kjo konsiderohet gjerësisht se lidhet me ngrohjen globale dhe ndryshimet klimatike, pasi përqendrimet e dioksidit të karbonit në atmosferë janë aktualisht në nivelet e tyre më të larta për të paktën 2 milionë vjet.
Periudha e ftohtë në të cilën ndodhen aktualisht Finlanda dhe Suedia ka shkaktuar ndërprerje në udhëtime, duke përfshirë Norvegjinë, ku një autostradë kryesore në jug u mbyll për shkak të motit dhe linjat e trageteve pezulluan funksionimin.
Në Suedi, operatorët e trenave thanë se trafiku hekurudhor në veriun e Arktikut gjithashtu pësoi probleme të konsiderueshme.
Suedia qendrore dhe jugore do të qëndrojnë nën një alarm moti dimëror gjatë të mërkurës, pasi autoritetet paralajmëruan kundër borës dhe erës.
Në Finlandë, autoritetet paralajmërojnë se temperaturat do të jenë më të ulëta se -40 gradë Celsius gjatë javës.