Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, Shqipëria është vendi i parë në Europë me përqindjen më të lartë të popullsisë së moshës 16 vjeç e lart, të cilët kanë raportuar nevoja të paplotësuara për ekzaminim mjekësor.
Të dhënat që rrjedhin nga statistikat e Bashkimit Europian për të ardhurat dhe kushtet e jetesës vlerësojnë se përgjatë vitit 2021 janë 13.7% e shqiptarëve të cilët “ankohen” për këtë problematikë.
Këto nevoja të paplotësuara vijnë për arsye si ato financiare, listës së gjatë të pritjes nëpër qendrat shëndetësore apo edhe për arsye gjeografike, pra largësia e qendrave shëndetësore nga vendbanimi i personave të anketuar.
Nevojat e paplotësuara të vetëraportuara kanë të bëjnë me vlerësimin e vetë personit nëse ai ose ajo kishte nevojë për ekzaminim (ku përjashtohet kujdesi dentar), por nuk i është mundësuar trajtimi mjekësor.
‘Scan Intel’ ka analizuar këto të dhëna për të kuptuar sesi paraqiten shtetet e Europës krahasimisht me Shqipërinë.
Sipas shifrave, kjo normë e rendit Shqipërinë në vendin e parë në Europë, ndërkohë në vend të dytë pozicionohet Greqia me 12.5% të personave të cilët janë shprehur se kanë nevoja të paplotësuara për kujdes mjekësor. Pas Greqisë, në vend të tretë pason Sllovenia me 7.9% dhe Rumania me 6.6%.
Ndërkohë, nëse do të analizojmë situatën në nivel rajonal, pas Shqipërisë renditet Mali i Zi me 3.5%.
Agjencia Europiane e Statistikave” disponon të dhëna edhe për Kosovën, megjithëse të papërditësuara.
Referuar të dhënave të publikuara për vitin 2018-të, Kosova renditet në vend të tretë pas Shqipërisë dhe Greqisë, me 9.7%.
Nga ana tjetër, historiku 4-vjeçar i të dhënave për Shqipërinë, pra nga viti 2018-të deri në vitin 2021, tregon se norma paraqitet me rënie deri në vitin 2020 për të ardhur në rritje në vitin 2021 me 3.1 pikë përqindje.
Vendet me normën më të ulët janë Qipro, Malta dhe Austria, vende këto që kanë plotësuar nevojat e qytetarëve të tyre për ekzaminim mjekësor në rreth 95% të rasteve.