Sigurimet shëndetësore kanë qenë dega me peshën më të madhe në tregun e sigurimeve në Turqi gjatë tremujorit të parë të vitit 2026.
Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata e Sigurimeve të Turqisë (TSB), kjo kategori gjeneroi 88.1 miliardë lira turke (rreth 1.9 miliardë dollarë) prime sigurimi, duke shënuar një rritje prej 33.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Pesha e sigurimeve shëndetësore në portofolin e përgjithshëm të tregut arriti në 25.94%, ndërsa rritja reale e këtij segmenti u vlerësua në 2.09% gjatë tre muajve të parë të vitit.
Zhvillimi i këtij segmenti lidhet me plakjen e popullsisë, rritjen e nevojave për kujdes shëndetësor, kostot në rritje të shërbimeve mjekësore dhe kërkesën më të madhe për produkte kursimi e mbrojtjeje financiare.
Në Turqi, mbi 80% e shpenzimeve shëndetësore mbulohen nga sistemi publik i sigurimeve shoqërore. Aktualisht, rreth 10% e popullsisë disponon njëkohësisht sigurim privat shëndetësor dhe sigurim shëndetësor suplementar. Megjithatë, kompanitë private të sigurimeve mbulojnë vetëm 2.8–3% të totalit të shpenzimeve shëndetësore, ndërsa pagesat direkte nga qytetarët mbeten në nivelin e rreth 15% të shpenzimeve totale.
Tregu turk i sigurimeve vlerëson se zgjerimi i mbulimit me sigurime suplementare duhet të shoqërohet edhe me rritjen e kapaciteteve të spitaleve private dhe përfshirjen më të madhe të spitaleve universitare në këtë skemë, me qëllim përballimin e kërkesës në rritje për shërbime shëndetësore.
Burimi i këtyre të dhënave ishte portali i specializuar për lajmin ndërkombëtar nga sigurimet, xprimm




