Nafta po tregtohet e qëndrueshme në sesionin e sotëm, pasi investitorët po presin nëse konflikti mes Hamasit dhe Izraelit do të përfshijë edhe vende të tjera.
Nëse kjo ndodh, atëherë çmimet e naftës do të rriten ndjeshëm, ndërsa ekonomia globale do të marrë një tjetër goditje.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në mbi 90 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 87 dollarë për fuçi.
Të dyja kontratat u rritën me mbi 6% në sesionin e së premtes, duke realizuar fitimet më të mëdha ditore që nga prilli, pasi investitorët e shohin më pranë përhapjen e konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit edhe në vendet e tjera.
Përgjatë gjithë javës së kaluar, nafta u rrit me 7.5%, fitimet më të mëdha javore që nga shkurti.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi të dielën se do ta “shkatërrojë Hamasin”, ndërsa trupat e tij janë gati të futen në Rripin e Gazës, në ndjekje të militantëve të Hamasit.
Për shkak të frikës se konflikti mund të përhapet përtej Gazës, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken vazhdoi turin e tij në shtetet e Lindjes së Mesme, duke kërkuar të parandalojë përshkallëzimin dhe të sigurojë lirimin e 155 personave që Izraeli thotë se ishin marrë peng nga Hamasi.