Këshilli i Ministrave ka rihapur procesin e aplikimit për përzgjedhjen e anëtarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) që do të mbajë detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të institucionit.
Gara ishte shpallur fillimisht më datë 20 shtator dhe afati për dorëzimin e aplikimeve kishte qenë deri më datë 29 shtator.
Por, këtë muaj Kryeministria ka rihapur procesin, duke vendosur si afat të ri datën 23 tetor.
Kriteret që duhet të plotësojnë aplikantët
- Të jetë shtetas shqiptar;
- Të ketë përfunduar studimet universitare në një nga këto fusha: ekonomi, juridik ose të lidhur me shkencën e aktuarëve;
- Të ketë përvojë profesionale të paktën 7-vjeçare, nga e cila, të paktën, 5 vjet në njërën nga këto fusha ose në disa prej tyre të marra së bashku:
a) financë-kontabilitet;
b) administrim i shoqërive tregtare;
c) këshillim ligjor i shoqërive tregtare;
ç) hartim legjislacioni;
d) shkencë e aktuarëve;
dh) sigurime shoqërore dhe pensione.
- Të gëzojë integritet moral dhe profesional;
- Të jetë i paangazhuar në funksione drejtuese partiake;
- Të mos jetë i dënuar penalisht, me vendim gjykate të formës së prerë;
- Të mos jetë në rrethana të konfliktit të interesit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Nuk mund të jetë anëtar i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare personi, i cili:
- Në tri vitet e fundit ka qenë ortak, aksionar apo anëtar i organeve drejtuese të subjekteve të mbikëqyrura;
- Ka lidhje familjare me ndonjë subjekt që është ortak, aksionar apo anëtar i organeve drejtuese të subjekteve të mbikëqyrura;
- Në tri vitet e fundit ka qenë punonjës me kohë të pjesshme apo të plotë në subjektet e mbikëqyrura.
Dokumentet që duhet të dorëzohen janë:
- Kërkesë për aplikim;
- Kopje të letërnjoftimit;
- CV në gjuhën shqipe;
- Dokumente të diplomimit (të noterizuara);
- Dokument që të provojë vjetërsinë në një nga fushat e kërkuara (vërtetim nga institucioni/shoqëria tregtare);
- Formular të vetëdeklarimit për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, në përputhje me ligjin nr.138/2015, të ndryshuar (të plotësuar e të firmosur);
- Formular të aplikimit për informim, për zyrtarët përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta, në zbatim të ligjit nr.45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” (të plotësuar e të firmosur);
- Vetëdeklarim se interesat private janë në përputhje me kërkesat dhe dispozitat ligjore për konfliktin e interesave;
- Vetëdeklarim se nuk është i angazhuar në funksione drejtuese partiake;
Dokumente të tjera në funksion të përmbushjes së kritereve të tjera plotësuese.
Vendi i Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ngeli vakant në muajin shtator, pasi Ervin Mete u lirua nga detyra për tu emëruar në vijim si Ministër i Financave dhe Ekonomisë.
Aktualisht, Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive në Detyrë e AMF-së është znj. Mimoza Kaçi.
Sipas ligjit, anëtari i Bordit, që do të mbajë funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv, pas propozimit nga Këshilli i Ministrave votohet në Parlament.