8.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetBankat në Shqipëri, rreth 2.3 miliardë euro të painvestuara

Bankat në Shqipëri, rreth 2.3 miliardë euro të painvestuara

Rritja me ritme të larta e depozitave në monedhën europiane po sjell shifra rekord të fondeve të painvestuara, që sektori bankar shqiptar po i mban në formën e llogarive rrjedhëse apo depozitave.

Statistikat tregojnë se vetëm fondet në valutë, të mbajtura nga bankat tregtare në llogaritë e tyre rrjedhëse pranë Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit gusht arritën vlerën ekuivalente të 25 miliardë lekëve, pothuajse tre herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërsa në total, fondet në valutë të mbajtura në Bankën e Shqipërisë në formën e depozitave, arritën në 109.4 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Paralelisht, edhe vendosjet dhe depozitat në valutë në institucionet financiare jashtë vendit kanë arritur vlerën e 165.6 miliardë lekëve, me një rritje prej 20% krahasuar me një vit më parë. Gjithsej, vendosjet e fondeve në valutë të bankave shqiptare në llogari dhe depozita të institucioneve të tjera financiare kanë arritur në afërsisht 275 miliardë lekë ose rreth 2.3 miliardë euro.

Në dy vitet e fundit, depozitat bankare janë rritur me ritme të shpejta, sidomos ato në monedhën europiane. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit gusht totali i depozitave në këtë monedhë arriti në rreth 5.146 miliardë euro. Në një muaj, depozitat u zgjeruan me 248 milionë euro, rritja më e lartë mujore e regjistruar në statistika për të paktën pesë vitet e fundit.

Me bazë vjetore, rritja e depozitave në euro ka arritur në 15.5%, nga 11.7% që ishte rritje me bazë vjetore në fund të korrikut. Kjo normë rritjeje është pothuajse dy herë më e lartë krahasuar me normën mesatare të rritjes së depozitave bankare në total. Ndërsa depozitat në euro po rriten me ritme të shpejta, e njëjta gjë nuk po ndodh me kredinë, që në vitet e fundit është gjithnjë e më e orientuar drejt lekut.

Në 12 muajt e fundit mes gushtit 2020 dhe gushtit 2021, kredia në valutë të huaj është rritur me vetëm 4.2%, ndërsa kredia në lekë është rritur me 9%. Pesha e monedhës vendase në portofolin e kredisë është zgjeruar në 52.6%, nga 51.4% që kishte qenë një vit më parë.

Për krahasim, norma e rritjes vjetore të depozitave në valutë është pothuajse katër herë më e lartë krahasuar me normën e rritjes së kredisë në valutë. Në një vit, kredia në monedhën europiane është rritur me vetëm 100 milionë euro, ndërsa depozitat janë rritur me pothuajse 700 milionë euro.

Diferenca pjesërisht është investuar në letra me vlerë (rreth 130 milionë euro), por në pjesën dërrmuese është vendosur në llogari dhe depozita pranë institucioneve të tjera financiare. Mbajtja e fondeve të papërdorura në euro është një kosto e konsiderueshme për bankat, në një periudhë kur normat e interesit janë shumë afër zeros, madje në disa raste edhe negative. Për shembull norma e remunerimit të rezervës së detyrueshme në euro nga Banka e Shqipërisë është -0.5%, e njëjtë me atë të depozitës ditore të Bankës Qendrore Europiane.

/E.Shehu – Monitor


Burimi Banka e Shqipërisë

Lexo edhe: Çmimet e produkteve rriten, pensionet mbeten në vend/ 6 avantazhet e investimit në Fondin e Pensioneve SIGAL

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat