Dielli i fortë në kokë dhe në zonën e qafës mund të shkaktojë insolacion ose heliosis. Lëkura dhe indet e trurit ngacmohen nga nxehtësia e madhe dhe mund të shkaktojnë të ashtuquajturin meningjit aseptik, një infeksion truri që nuk shkaktohet nga ndonjë bakterie.
Kjo goditje nga dielli është goditje e izoluar në kokë nga i nxehti.
Shenjat dhe simptomat: dhimbjet e kokës janë shenjat e para të insolacionit. Personit që goditet nga dielli i djeg koka, skuqet në fytyrë, ka dhimbje qafe, që mund të shoqërohen me lodhje, trazira dhe të vjella. Shpesh ka marrje mendsh. Ajo që bie në sy është se temperatura e trupit të një pacienti që ka insolacion nga dielli nuk është e lartë, por e ulët.
Fillimisht personat që janë goditur nga insolacioni duhet të futen në një ambient të freskët dhe të vendosen shtrirë në kurriz, në mënyrë që ta marrin veten sa më shpejt. Kur vendosen shtrirë, koka dhe pjesa e sipërme e trupit duhet të ndodhen më lartë se pjesa poshtme e trupit. Peshqirë të lagur me ujë të ftohtë mund të ndihmojnë për të freksuar pjesë të trupit, për shembull qafën.
Përveç kësaj pacientët duhet të pinë shumë lëngje nëse janë me vetëdije të plotë, në mënyrë që të sjellin në nivel normal furnizimin e trupit me ujë.
Sipas ekspertëve nga djersitja e madhe mund të shkaktohen humbje të mëdha të lëngjeve të trupit, humbje që gjatë ditëve të nxehta mund të arrijnë në deri në dy litra në ditë. Edhe nëse simptomat fillojnë të largohen, personi duhet të qëndrojë në shtrat që të qetësohet.
E rëndësishme: Në raste të rënda personi mund të ketë të vjella, mungesë qartësie në kokë e madje humbje të vetëdijes. Në këto raste duhet thirrur mjeku për të parë nëse ka ndodhur një goditje nga i nxehti në gjithë trupin apo hipertermi. Shpesh konceptet e insolacionit dhe hipertermisë shkaktuar nga i nxehti ngatërrohen me njëra-tjetrën. Por hipertermia është më e rrezikshme se insolacioni. Hipertermia shkaktohet për shembull nga stërlodhja fizike në një ambient të nxehtë.
Për shkak të temperaturave të larta të motit trupi merr më shumë nxehtësi se sa është në gjendje që të nxjerrë. Temperatura e trupit mund të ngrihet brenda 10-15 minutave dhe të arrijë deri në 41 gradë Celsius. Kjo nxehje akute shkakton reaksione infektimi në gjithë trupin. Sistemi i rregullimit të temperaturës së trupit del jashtë loje, kështu që për shembull dështon prodhimi i djersës. Dhe shkaktohet bllokim i të nxehtit.
Goditja në trup nga i nxehti është e rrezikshme për jetën. Tek simptomat bëjnë pjesë çrregullimet e ndërgjegjes, dhimbjet e kokës, marrjet e mendve dhe përgjumja, dhe mund të shfaqen edhe paraliza të pjesshme, të vjella, diarre, dhe ulje e tensionit të gjakut. Goditja në trup nga i nxehti zhvillohet brenda një deri gjashtë orëve dhe nëse nuk merren masa për ta neutralizuar, mund të çojë në vdekje pa mbushur 24 orë.
Tek të moshuarit dhe të sëmurët kronikë si dhe fëmijët goditja në trup nga i nxehti shkaktohet shpesh për shkak të kombinimit të temperaturave të larta dhe mungesës së madhe të lëngjeve dhe elektroliteve. Tek njerëzit e shëndetshëm ajo shkaktohet shpesh nga mundimi i madh fizik, për shembull nga sporti ose puna jashtë në natyrë.
Kur shfaqen shenjat e para të hipertermisë duhet njoftuar menjëherë shërbimi i urgjencës ose zjarrfikëset. Trupi duhet freskuar sa më shumë të jetë e mundur. Të prekurit duhen dërguar menjëherë në një vend të freskët dhe duhet të furnizohen me lëngje. Po ashtu duhet ta zhvishni personin nga veshjet jo të domosdoshme.
Kur dikush humb vetëdijen por e ka frymëmarrjen normale personi duhet vendosur në një vend ku mund të hyjnë forcat e shpëtimit.
Frymëmarrja dhe vetëdija duhen kontrolluar rregullisht. Nëse personi nuk merr frymë normalisht, atëherë duhet filluar me masat e reanimacionit.
Në temperatura shumë të larta sistemi i rregullimit të nxehtësisë në trupin tonë arrin limitet e tij. Tek të moshuarit ndodh shpesh që ata pinë pak lëngje. Si pasojë trupi nuk është në gjendje të prodhojë djersë sa duhet, gjë që bën që trupi ta ketë të vështirë që të vetë freskohet.
Rruga më e mirë për të penguar goditjen në tru ose në trup nga i nxehti është e thjeshtë: mos rrini gjatë në diell, mbroni kokën me kapele me ngjyrë të hapët, mos rrini në mjedise me nxehtësi të madhe dhe pini shumë lëngje.