Rritja e temperaturave dhe festa të ndryshme të organizuara në këto ditë pushimi rrisin përdorimin e alkoolit dhe të drograve, kryesisht mes të rinjve.
Këta persona nuk ngurojnë që nën efektin e drogës apo të alkoolit të drejtojnë edhe makinën duke u bërë kështu potencial për aksidente. Pak kohë më parë një vajzë e re në kryeqytet nën efektin e drogës u përplas me 4 makina të parkuara duke rrezikuar edhe kalimtarët.
Për të shmangur ngjarje të tilla prej muajsh policia e Tiranës kryen kontrolle me pajisjen Aquilascan të drejtuesve që kryejnë veprime agresive në rrugë. Vetëm në Tiranë numërohen rreth 100 persona të arrestuar nën efektin e drogës.
“Ka një trend në përdorimit të drogës së llojeve të ndryshme nga drejtuesit e mjeteve“, tregon shefi i komisariatit rrugor Tiranë, Besmir Qibini.
Për të luftuar fenomenin, policia ushtron kontrolle jo vetëm në orët e mbrëmjes por edhe gjatë paradites. Po aq shqetësues është edhe numri i personave të dehur në timon. Çdo javë policia arreston persona, të cilët drejtojnë makinën nën efektin e alkoolit.
“Për personat të cilët përdorin alkool, i sugjeroj që të mos drejtojnë makinën por të përdorin mjete alternative dhe të gjithë përdoruesit e rrugës të respektojnë të gjitha sinjalistikat e parashikuara nga kodi rrugor”.
Mbi 140 aksidente në qershor-korrik, 25 viktima dhe 101 të plagosur
Sipas të dhënave zyrtare, nga qershori e deri më 25 korrik në të gjithë vendin kanë ndodhur mbi 140 aksidente ku 25 persona kanë humbur jetën dhe 101 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
PSE DUHET TË JEMI TË SIGURUAR GJATË GJITHË KOHËS
Një aksident, veç pasojave materiale apo fizike, ka edhe me kosto të larta financiare për përgjegjësin e aksidentit, gjë që e thellon edhe më shumë ngjarjen. Ndaj vazhdimisht kemi apeluar tek qytetarët që të bëjnë kujdes me qarkullimin në rrugë, duke respektuar normat e qarkullimit, duke vendosur rripin e sigurimit por në të njëjtën kohë të marrin masa për t’i paraprirë çdo rreziku potencial, duke kryer sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta.
Sigurimi i përgjegjësisë ndaj palëve të treta, ose TPL, është një sigurim i detyrueshëm dhe i ofrohet mbajtësit të mjetit motorik, që qarkullon brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Siguruesi merr përsipër përgjegjësinë civile të të Siguruarit, ndaj palëve të treta, kur ai përfshihet në një aksident dhe është përgjegjës për dëme materiale, pasurore dhe/apo shëndetësore, në bazë të Ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.
Në mungesë të siguracionit, shkaktari paguan nga xhepi çdo dëm që shkakton tek të tretët, që mund të jetë edhe qindra milionë lekë.
Çfarë mbulon siguracioni “TPL”?
a)Dëmet materiale
Këtu përfshihen të gjitha dëmet që shkakton mjeti shkaktar, si dëmet e mjeteve motorike, dyqane, shtëpi, pemë, kafshë,etj., me përjashtim të dëmit që pëson mjeti përgjegjës për ngjarjen.
b)Dëmet shëndetësore
Këtu përfshihen të gjitha dëmtimet që u shkaktohen personave të ndryshëm, përfshirë edhe pasagjerët, me përjashtim të dëmit që pëson drejtuesi i mjetit përgjegjës për ngjarjen. Këto ndahen në tre lloje:
- Paaftësi e përkohshme
- Paaftësi e përhershme
- Vdekje
NË CILAT RASTE KONTRATA E SIGURIMIT TE DETYRUESHËM MTPL NUK MBULON TË SIGURUARIN?
Kur dëmi është shkaktuar nga një drejtues i paautorizuar i mjetit motorrik ky drejtues nuk është i mbuluar nga kontrata e sigurimit për dëmët që ai shkakton të tretëve.
E njëjta gjë ndodh, kur drejtuesi i mjetit drejton mjetin nën ndikimin e alkolit, lëndëve narkotike apo psikoaktive, në momentin e aksidentit, ka qenë pa leje drejtimi (patentë), e perdor mjetin jo sipas destinacionit të tij, e shkakton dëmin qëllimisht, aksidenti ndodh për shkak të defekteve teknike të mjetit, për të cilat drejtuesi ka qenë në dijeni.
Kjo i jep të drejtën shoqërisë të sigurimit pasi ka paguar dëmin ndaj palës të trëtë të dëmtuar ti drejtohet shkaktarit të dëmit për kthimin e shumës dëmit të paguar plus interesat dhe shpenzimet.
Kujdes, humbja e të drejtave që rrjedhin nga kontrata e sigurimi MTPL kundrejt të siguruarit, nuk kufizon të drejtat e palëve të treta të dëmtuara për të paraqitur kërkesën për dëmshpërblim te siguruesi përgjegjës.
JO alkoolit dhe drogërave kur jeni në timon! Mendoni edhe për njerëzit që ju rrethojnë!