Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit për muajin qershor ka vijuar prirjen rritëse.
Nga 5% që ishte në prill dhe 5,6% në maj, në muajin e gjashtë të vitit regjistroi nivelin 5,8%.
Shifrat e mësipërme rezultojnë sipas llogaritjeve me metodën e Eurostat, pasi sipas INSTAT, për qershorin inflacioni rezultoi 4,5%, pra me një diferencë të theksuar.
Rritja më e madhe e çmimeve prej 12,1% vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 10,8%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 5,9%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,4%, “Veshje dhe këpucë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 4,3 % secili, “Pije alkoolike dhe duhan” me 4%, “Shërbimi arsimor” me 2,5%, “Shëndeti” me2,2 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,5% dhe “Komunikimi” me 1,2%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 7%.
Ndërkohë, krahasuar me muajin maj, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit ka pësuar një rënie të lehtë me 0,2%. Krahasuar me mesataren e eurozonës, prej 5,5% Shqipëria rezulton me normë inflacioni më të lartë. Por, nëse e krahasojmë me mesataren e Bashkimit Europian prej 6,4%, vendi ynë ka normë më të ulët.
Çmimet në Shqipëri rezultojnë më të larta krahasuar me vende të tilla si Franca, Irlanda, Portugalia, Finlanda, Greqia, Qipro, Danimarka, etj.
Nga ana tjetër, Suedia, Holanda, Sllovenia, Italia, Norvegjia etj, kanë çmime më të shtrenjta se vendi ynë, për të mos folur për Hungarinë, ku inflacioni në qershor u regjistrua në nivelin rekord të kontinentit prej 19.9%.