16.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetMiratohet Strategjia për zhvillimin e tregjeve të kapitalit/ Qeveria projekton listimin e...

Miratohet Strategjia për zhvillimin e tregjeve të kapitalit/ Qeveria projekton listimin e afërt në Bursë të kompanive me kapital shtetëror

Këshilli i Ministrave ka miratuar Dokumentin Politik “Për Krijimin e një Mjedisi Mundësues për Zhvillimin e Tregjeve të Kapitalit në Shqipëri, 2023-2027”, i hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Dokumenti analizon situatën e tregut të kapitaleve në Shqipëri dhe infrastrukturën e tij, duke propozuar ndërmarrjen e planeve konkrete të veprimit për zhvillimin e tregut të kapitaleve përgjatë një periudhe 5-vjeçare.

Objektivi i përgjithshëm është promovimi i tregjeve eficiente të kapitalit nëpërmjet nxitjes së zhvillimit të këtyre tregjeve dhe mbikëqyrjes efektive të tyre.

Për arritjen e këtij objektivi, Dokumenti Politik merr në konsideratë një sërë faktorësh, si: përcaktimi i kushteve paraprake të zhvillimit të tregut, adresimi i sfidave dhe problematikave, identifikimi i prioriteteve për zhvillimin e tregut të kapitaleve, bashkëpunimi mes institucioneve me rol kyç për zhvillimin e këtij tregu, sigurimi i mbikëqyrjes efektive, si edhe përcaktimi i planeve konkrete të veprimit sipas prioriteteve të vendosura.

Objektivat kryesorë strategjikë të dokumentit janë: rritja e pjesëmarrjes së emetuesve, zgjerimi i bazës së investitorit dhe zgjerimi i gamës së instrumenteve financiare, eficienca dhe transparenca e tregut të kapitaleve, si edhe zhvillimi i tregut sekondar të Titujve të Qeverisë.

Bazuar në këto objektiva, në dokument parashikohen masa dhe veprime konkrete për arritjen e tyre.

Deri tani, aktori i vetëm thelbësor i tregut të kapitaleve në anën e ofertës ka qënë Qeveria Shqiptare, si emetuesi më i madh i titujve të borxhit të emetuara në vend. Me nisjen e emetimeve të para të obligacioneve me ofertë private, bankat u kthyen në emetuesit kryesorë të këtij instrumenti financiar. Tashmë synohet zhvillimi i tregut të kapitaleve, përmes emetimeve me ofertë publike në një treg të rregulluar/Bursë.

Dokumenti i Politikave konstaton se tregu shqiptar i kapitaleve ka ende shumë hapësirë për emetues të rinj në anën e ofertës. Në këtë drejtim një listim i mundshëm i disa kompanive me kapital shtetëror apo emetimi prej tyre i obligacioneve me ofertë publike do të ishte një shembull i mirë për emetuesit e tjerë korporativë.

Për këtë nevojitet së pari identifikimi dhe vlerësimi i kompanive me kapital shtetëror si dhe një qasje konkrete për përgatitjen e tyre për listim. Dokumenti i Politikave parashikon ndërmarrjen e hapave konkretë në këtë drejtim.

Ky Dokument miratohet në një moment të rëndësishëm, pasi në vend tashmë janë krijuar të gjitha kushtet për zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve të kapitalit. Ligji nr.62/2020 “Për Tregjet e Kapitalit”, i hartuar në përputhje me direktivën e Bashkimit Europian (MIFID II) dhe rregulloret e miratuara nga Autoriteti në zbatim të tij kanë kompletuar tërë kuadrin e nevojshëm ligjor e nënligjor.

Krahas anës ligjore, është krijuar edhe infrastruktura e tregtimit dhe pastregtimit, me Bursën e Titujve operacionale që nga viti 2018, Regjistri Shqiptar i Titujve (ALREG), i cili vepron si Depozitar Qendror, si edhe bankat tregtare të licencuara në rolin e ndërmjetësit financiar për funksionin e nënshkrimit të instrumenteve financiare.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat