14.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetNis viti i ri shkollor pandemik/ Me maskë, turne dhe orë të...

Nis viti i ri shkollor pandemik/ Me maskë, turne dhe orë të reduktuara! Ç’parashikon urdhri i ministrisë

Edhe një tjetër vit shkollor nën diktatin e pandemisë. Pavarësisht vaksinimit dhe imunitetit natyror në shkallë vendi, shkollat do të hapin dyert me kushte.

Maskë, higjienizues e orare të reduktuara në shumicën dërrmuese të shkollave, me përjashtim të shkollave të bashkuara, ku protokolli anti-Covid është i kotë të kërkohet, pasi nuk ka nxënës. Përmes një videomesazhi që vetëm urues nuk ishte, e para e Arsimit, Evis Kushi, përpiqet të krijojë perceptimin për një vit të mbarë e të sigurt shkollor, duke dhënë mesazhin përmes zërave të fëmijëve.

“Unë do të vazhdoj të mbaj maskën, të kujdesem për higjienën dhe shëndetin tim, të shoqeve, mësuesve dhe familjes sime”. “Siguria dhe shëndeti juaj është më i rëndësishëm për të gjithë ne, prandaj lutja që kam për ju është që t’i respektoni të gjitha rregullat dhe masat në shkollë, çdo moment i këtij viti është shumë i çmuar për ju, ndaj përpiquni të mësoni edhe më shumë. Ne do të bëjmë më të mirën”, shton ministrja në bashkëbisedim me disa prej nxënësve në video.

Asnjë e dhënë tjetër, qoftë statistikore, me sa nxënës hapen sot shkollat apo sa prej tyre ulen për herë të parë në banka.

PETICIONI

Janë me mijëra prindër të zemëruar që për të tretin vit me radhë do të duhet të dërgojnë fëmijët në shkolla me çantat plot me libra, por orë të shkurtuara, e mbi të gjitha, me mungesë oksigjeni. Pavarësisht përpjekjeve për rritjen e mbulesës vaksinale të mësuesve, çka krijoi perceptimin për një vit normal mësimor me orë të plota, shumëkush u surprizua pak ditë më parë nga njoftimi në grupet e WhatsApp-it të mësuesve kujdestarë me grafikët e turneve. Me pak fjalë, shumë punë për hiçgjë. Viti i ri shkollor do të jetë si i vjetri. Nisur nga kjo, ata janë bërë bashkë në një peticion online drejtuar Ministrisë për rishikimin e vendimit.

“Mësimi me turne dhe orar të shkurtuar nuk është i përshtatshëm për edukimin e vazhdueshëm. Ky proces nuk ka rezultuar efektiv dhe është viti i tretë që po aplikohet duke shkaktuar lodhje te fëmijët dhe mësuesit. Ndërkohë që në të gjitha fushat e tjera jeta vazhdon normalisht, përse duhet të aplikohen masa të shtuara vetëm në shkolla? Fëmijët kanë risk minimal dhe mësuesit shumica janë imunizuar ose vaksinuar”, argumentohet në peticionin dërguar Ministrisë duke i bërë thirrje të rishikojë vendimin për mësimin me protokoll dhe rikthimin e normalitetit.

Pas katër javësh mësim për të mbushur boshllëqet e vitit të shkuar, historia do të përsëritet. Këtij viti iu “hëngrën” dy javë, të cilat do të duhet t’ia marrin borxh të ardhshmit për të plotësuar mangësitë që pritet të krijohen.

Mësuesit: Të ulet numri i nxënësve në klasa, mësimi me turne joeficent

Nuk janë vetëm prindërit të mërzitur nga “mësimi pandemik”, por edhe mësuesit. Por ndryshe nga të parët që flasin hapur, arsimtarët e bëjnë nën zë, nga frika e humbjes së vendit të punës. Gazeta ka folur me disa prej tyre, që njëzëri bien dakord që mësimi me turne dhe orë të shkurtuara është jorezultativ. “Do të ishte mirë që drejtoritë dhe pushteti vendor të përshtatin mjedise të ndryshme si shkolla dhe mësimi të zhvillohet normal, pa i hyrë në pjesë formimit të nxënësve”. Kjo është ideja e një mësuesi të 9-vjeçares, ndërsa një tjetër arsimtar në një gjimnaz të Tiranës shtron si alternativë uljen e numrit të fëmijëve në klasa, duke rritur eficencën e mësimit, por edhe ulur lodhjen e mësuesve që duhet të përsërisin dy deri në katër herë të njëjtin mësim çdo ditë, varësisht nga turnet. “A duhet patjetër që të ulet numri i fëmijëve në klasa që shkollat të mos punojnë me grupe, që të mos cenohet 45-minutëshi, si dhe cilësia në arsim?! Cili prind do të donte që fëmija i tij të mësonte nga ora 08:00-10:30? Prandaj ulja e numrit të nxënësve duhet të jetë emergjente. E ndryshuat ligjin duke bërë 3 lëndë në 6 orë, bëjeni edhe këtë sa nuk është shumë vonë”.

Vaksinim ose tampon, zbardhet urdhri i vendimit të marrë që në gusht

Pas insistimeve të shumta nga gazetarët për dokumentin mbi të cilin bazohen universitetet e shkollat për të pranuar ose jo stafin dhe studentët në ambientet publike arsimore, Ministria e Shëndetësisë ka bërë publik urdhrin. Aty sanksionohet qartë ajo që është deklaruar më herët, kategoritë që duhet të vaksinohen bashkë me detyrimin për të kryer PCR çdo javë për mësuesit apo mësim online për studentët. Në një kohë që për studentët paraqitet si alternativë mësimi online, në asnjë fjali nuk përmendet se çfarë do të ndodhë me mësuesit e pedagogët që nuk i binden urdhrit për të injektuar vaksinën anti-Covid.

“Për punonjësit e institucioneve arsimore që nuk paraqesin certifikatën e vaksinimit Covid-19 apo kartën e vaksinimit, do të kërkohet paraqitja, çdo javë, e testit PCR, të kryer sipas procedurës për kryerjen e testeve për efekte administrative, për të verifikuar që nuk janë mbartës të infeksionit Sars-Cov2, duke filluar nga data 29.09.2021”, citohet në urdhër. Shkollat, sipas tij, kanë detyrimin e përmuajshëm që të raportojnë stafin arsimor e studentët që kanë depozituar certifikatën e vaksinimit. Për punonjësit arsimorë ka një përqindje të mbulesës vaksinale, 80%, ndërsa për studentët, ende. E vetmja mundësi për t’iu shmangur vaksinimit për stafin pedagogjik është raporti shëndetësor.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat