11.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetPërafrimi me direktivat evropiane/ AMF nxjerr për konsultim rregulloret për institucionet e...

Përafrimi me direktivat evropiane/ AMF nxjerr për konsultim rregulloret për institucionet e tregut të kapitalit

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka publikuar për konsultim publik një grup rregulloresh, të hartuara në zbatim të ligjit për tregjet e kapitalit, të përafruara gjerësisht me direktivat evropiane të fushës, që kanë të bëjnë me rregullimin e institucioneve të tregut të kapitalit, si Bursa, Depozitari Qendrore dhe Shtëpitë e Klerimit.

Në Takimet Bilaterale të kapitullit 9 “Shërbimet Financiare”, të zhvilluara në muajin shkurt në Bruksel, nën drejtimin e AMF-së, grupi negociator u angazhua për përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit vendas me atë të Bashkimit Evropian në fushën e shërbimeve financiare.

Hartimi i projektrregulloreve të mëposhtme i shërben përmbushjes së këtij detyrimi, duke e përafruar kuadrin rregullator në një shkallë të lartë me legjislacionin evropian që lidhet me infrastrukturën e tregut të kapitaleve.

  • Projektrregullorja “Për kriteret e licencimit dhe funksionimit të bursave dhe operatorëve të tregut që vënë në funksion veprimtarinë e një tregu të rregulluar”;
  • Projektrregullorja “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së depozitarit qendror të titujve”;
  • Projektrregullorja “Për kërkesat e licencimit dhe të funksionimit të shtëpisë së klerimit dhe kundërpalës qendrore”;
  • Projektrregullorja “Për kriteret dhe kërkesat e miratimit të shoqërisë audituese të shoqërisë komisionere dhe institucioneve të tregut”.

Këto projektrregullore vendosin standardet më të mira evropiane të rregullimit dhe funksionimit të infrastrukturës së tregtimit dhe pastregtimit, si elementë kyç për mbarëvajtjen, mirëfunksionimin dhe sigurimin e eficiencës së tregjeve të kapitalit.

Kështu, projektrregullorja “Për kriteret e licencimit dhe funksionimit të bursave dhe operatorëve të tregut që vënë në funksion veprimtarinë e një tregu të rregulluar”, në linjë me Direktivën dhe rregulloren MIFID II/MIFIR si dhe standardet teknike rregullatore të Autoritetit Evropian të Titujve dhe Tregjeve (ESMA), krahas kërkesave për licencim dhe raportim të operatorëve të tregut, trajton karakteristikat që duhet të ketë një titull i transferueshëm për t’u tregtuar në një treg të rregulluar/Bursë.

Gjithashtu projektrregullorja parashikon detyrimin për transparencë para dhe pas tregtimit, përfshirë çmimin e blerjes apo shitjes së instrumentit financiar si dhe detajet e transaksionit të kryer në një treg të rregulluar/Bursë si dhe çdo informacion tjetër që këta operatorë duhet të bëjnë publik.

Projektrregullorja “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së depozitarit qendror të titujve” realizon një përfarim në nivel më të lartë me rregulloren e Bashkimit Evropian për depozitarin qendror të titujve. Përveç sa parashikohet në ligjin për tregjet e kapitalit, kjo projektrregullore parashikon kërkesa të mëtejshme organizative, kërkesa për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së Depozitarit Qendror të Titujve.

Gjithashtu, ajo vendos kërkesa  për të garantuar finalizimin e shlyerjes së transaksionit si dhe për të siguruar integritetin e emetimit, në mënyrë që titujt e emetuar të jenë në çdo kohë të barabartë me titujt që ndodhen në llogaritë e pjesëmarrësve të Depozitarit Qendror.

Projektrregullorja parashikon edhe krijimin e një Komiteti Përdoruesish që përbëhet nga përfaqësues të emetuesve dhe të pjesëmarrësve në sistemin e Depozitarit Qendror, të cilët mund të japin rekomandime të rëndësishme për t’u përfshirë në vendimmarrjen e organeve drejtuese të Depozitarit Qendror të Titujve.

Projektrregullorja “Për kërkesat e licencimit dhe të funksionimit të shtëpisë së klerimit dhe kundërpalës qendrore”, rregullon për herë të parë veprimtarinë e një kundërpale qendrore, e  njohur si CCP, e cila merr sidomos rëndësi të veçantë në rastin e klerimit/shlyerjes së produkteve derivative.

Projektrregullorja përafrohet me rregulloren EMIR të Bashkimit Evropian, përsa i përket veprimtarisë së kundërpalës qendrore dhe vendos rregulla në rast të dështimit të një pjesëmarrësi, rregulla për segregimin (ndarjen) e aktiveve, procedura për mbulimin e humbjeve, si edhe rregulla për transparencën dhe informacionin që duhet bërë publik nga kundërpala qendrore.

Në kuptim të ligjit për tregjet e kapitalit, Bursa, Depozitari Qendror i Titujve si dhe shtëpitë e klerimit apo Kundërpala Qendrore (CCP) konsiderohen institucione tregu, për të cilat projektrregullorja “Për kriteret dhe kërkesat e miratimit të shoqërisë audituese të shoqërisë komisionere dhe institucioneve të tregut” vendos kritere për përzgjedhjen dhe miratimin e shoqërisë audituese të këtyre institucioneve.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat