Shqipëria është një vend me aktivitet të lartë sizmik.
Vendi ynë bën pjesë në zonën sizmogjene Jonike-Adriatike (rajoni i Shkodrës; Shqipëria perëndimore; zona Korçë-Ohër-Peshkopi, me vija aktive në Lushnje, Elbasan, Dibër dhe Vlorë, Tepelenë-Ersekë).
Afërsisht, çdo vit në Shqipëri shkaktohen 4-5 tërmete me 6 ballë dhe çdo 25 vjet shkaktohet 1 tërmet me afro 9 ballë, duke e bërë kështu Shqipërinë një rajon me aktivitet të lartë sizmik.
Nga lashtësia njihen si tërmete më të fuqishme ai i Apolonisë në vitin 217 e.s. Në Durrës tërmete kanë rënë në vitet 334 dhe 506 të erës sonë, si dhe në vitin 1273. Gjithashtu në kohët e vjetra përmenden dhe tërmetet e Butrintit në vitin 1153 dhe të Krujës në vitin 1617.Nga studimet e pakta që kanë ardhur deri në ditët tona rezulton se gjatë shekullit te 19-të në Shqipëri janë ndjerë 77 tërmete me mbi 7 ballë
Tërmetet më të fuqishëm që kanë goditur Shqipërinë janë regjistruar zyrtarisht duke nisur nga viti 1851, kur si pasojë e lëkundjeve në Berat humbën jetën 400 persona dhe shumë të tjerë u plagosën. Ndërsa dëmet materiale qenë të mëdha.
17 Tetor 1851
Rrethi i Beratit goditet nga një tërmet i fuqishëm me pasoja të rënda. Mbi 400 të vdekur dhe shkatërrime të shumta në ndërtesa. Plasaritje të mëdha, rrëshqitje toke dhe pluhur me squfur.
Korrik-Gusht 1855
Shkodra ndien lëkundje të forta që shkaktojnë shkatërrimin e Bushatit, Jubanit, Kozmaçit, Vaut të Dejës dhe fshatra të tjerë në Shkodër, Karme, Dushan, Toplane dhe Bruç. çarje të mëdha në tokë.
22 Dhjetor 1919
Leskovik-Konicë, tërmet 6.1 ballë i shkallës Rihter. Shumë shtëpi të shkatërruara në kufijtë shqiptarë si dhe në fshatrat grekë Isboros, Plavoli, Belthonsi dhe Kapaztiko. I gjithë rajoni i shkatërruar. Jo viktima.
18 Dhjetor 1920
173 shtëpi të shkatërrura në Elbasan dhe dhjetëra persona plagosen. Pasojat e tërmetit me epiqendër në Elbasan më së shumti u ndjenë në Peqin ku 14 persona humbën jetën dhe 300 të tjerë u plagosën rëndë.
30 Mars 1921
Nuk ka të dhëna për dëme në njerëz, por dhjetëra shtëpi janë shkatërruar në Peshkopi dhe Dibër (Maqedoni).
27 Gusht 1948
Nënshkodra preket nga tërmeti 5.5 ballë. Dëmtime serioze të shtratit të lumit Buna dhe në qytetin e Shkodrës. Dëmet më të mëdha raportohen në Trush (1 i vdekur dhe 27 të plagosur). Shkatërrime objektesh ka pasur edhe në Oblike e Barbullush.
1 Shtator 1959
Shkatërrime në Lushnjë, Fier, Rrogozhinë, Peqin, Kuçovë dhe Berat. Në total 944 shtëpi të shkatërruara. Kryesisht në Karbunarë të Lushnjës. Dëmtime të mëdha në objekte industriale, shkolla, spitale dhe objektet kulturore.
30 Nëntor 1967
Librazhd-Dibër, 6.6 ballë. Dëme të mëdha në 13 lokalitete dhe 177 fshatra. Së bashku me Maqedoninë e prekur nga tërmeti, raportohen 6,336 ndërtesa të shkatërruara. Raportohet për 12 të vdekur dhe 174 të plagosur.
15 Prill 1976
Tërmeti 8 ballë godet Shkodrën, duke shkaktuar viktima dhe dëmtime të mëdha. Fatkeqësisht, 40 persona humbën jetën në Shkodër-Lezhë. U dëmtuan 17 118 shtëpi e objekte social-kulturore.
9 Janar 1988
Lëkundje të shpeshta në Tiranë me dëme materiale. Pasojat kryesore në fshatrat Arbanë dhe Petrelë
26 Nëntor 2019
Shqipëria veriperëndimore u godit nga një tërmet i fortë me magnitudë 6.4 me një epiqendër 16 kilometra në perëndim-jugperëndim të Mamurrasit, në 03:54 më 26 nëntor 2019.
Dridhja u ndje në Tiranë, si dhe në vende aq larg sa Taranto dhe Beogradi, rreth 370 kilometra në verilindje të epiqendrës.
Në total 51 njerëz mbetën të vdekur nga tërmeti dhe mbi 3,000 vetë u plagosën.
Nuk duhet harruar! Sipas sizmiologëve, Shqipëria përcaktohet si një nga vendet me veprimtari sizmike, ndër më të lartat në Europë, pasi rreziku nga tërmetet është gjithnjë prezent në të gjithë territorin.
Ekspertët, duke vlerësuar këtë risk, kanë arritur në përfundimin se çdo 5 vjet mund të ndodhë një tërmet i fuqishëm mbi 7 ballë dhe çdo dhjetë vjet një tërmet mbi 8 ballë.
LEXO EDHE: Pse Rajoni i Mesdheut është sizmikisht aktiv