7.5 C
Tirana
Saturday, November 23, 2024
spot_img
Faqe KryesoreEkonomiNën akuzën "shkelje financiare", arrestohet themeluesi i kriptovalutave FTX

Nën akuzën “shkelje financiare”, arrestohet themeluesi i kriptovalutave FTX

Policia në Bahama ka arrestuar Sam Bankman-Fried, themelues i kompanisë për këmbimin e kriptovalutave FTX, tha prokurori i përgjithshëm i këtij shteti.

Ai pritet që të dalë të martën para një gjykate në kryeqytetin e këtij shteti të Karaibeve, Nasau.

Policia tha se Bankman-Fried u arrestua për “shkelje financiare” kundër ligjeve në Shtetet e Bashkuara dhe Bahama.

Muajin e kaluar FTX shpalli falimentimin në SHBA, duke pamundësuar që shumë përdorues të kësaj kompanie të tërheqin fondet e tyre.

Sipas një dosjeje gjyqësore të paraqitur në gjykatë muajin e kaluar, kompania FTX u detyrohej 50 kreditorëve të saj më të mëdhenj afër 3.1 miliardë dollarë.

Është e paqartë se si personat që kanë fonde në këtë kompani do të mund t’i marrin ato në fund të procedurave të falimentimit. Megjithatë, shumë ekspertë kanë paralajmëruar se kreditorët do të mund të marrin një pjesë shumë të vogël të shumës së depozituar.

FTX u ka lejuar klientëve që të këmbenin para normale për kriptovaluta, sikurse Bitcoin.

Bankman-Fried më herët është parë si një version i ri i investitorit legjendar amerikan, Warren Buffett, dhe deri në fund të tetorit ai kishte pasuri neto më shumë se 15 miliardë dollarë.

Ai ishte bërë i famshëm në Uashington si donator politik, që supozohet se ka mbështetur parandalimin e pandemisë dhe përmirësimin e rregullave për kriptomonedhat.

Bankman-Fried po mbahet në paraburgim “në përputhje me aktin e ekstradimit të shtetit tonë”, tha përmes një deklarate Prokuroria e Përgjithshme në Bahama. Ky shtet pret që ai të ekstradohet në SHBA.

“Më herët gjatë kësaj mbrëmjeje, autoritetet në Bahama arrestuan Samuel Bankman-Fried në bazë të kërkesës së Qeverisë amerikane, bazuar në një akuzë të mbyllur për publikun të qarkut jugor të Nju Jorkut. Ne presim që të zbardhim këtë aktakuzë në mëngjes dhe do të kemi më shumë detaje atëherë”, tha zyra e Prokurorit të SHBA-së në Menhetën, përmes një postimi në Twitter.

Rregullatorët financiarë në SHBA po ashtu paralajmëruan masa kundër Bankman-Fried.

“Ne përgëzojmë partnerët tanë të rendit për punën e tyre lidhur me arrestimin e Sam Bankman-Fried në Bahama për akuza të krimeve federale”, tha përmes një deklarate kreu i Komisionit të Letrave me Vlerë, Gurbir Grewal.

“Ky komision ka autorizuar akuzat që kanë të bëjnë me shkeljet e ligjeve tona për letrat me vlerë, që do të bëhen publike nesër në qarkun jugor të Nju Jorkut”, shtoi ai.

Bankman-Fried ishte paraparë që të dëshmonte para Kongresit amerikan të martën lidhur me falimentimin e kompanisë FTX.

FTX u themelua më 2019 nga Bankman-Fried, një ish-tregtar në Wall Street, dhe ish-punonjësi i Google, Gary Wang.

Kjo kompani u bë kompania e dytë më e madhe në botë e këmbimit të kriptovalutave, duke tregtuar rreth 10 miliardë kriptovaluta në ditë.

Por, më 11 nëntor FTX paraqiti kërkesën për mbrojtje nga falimentimi pasi përdoruesit e kompanisë tërhoqën 6 miliardë dollarë brenda tre ditësh nga kjo platformë dhe kompania rivale, Binance, u tërhoq nga një marrëveshje që do ta shpëtonte FTX nga falimentimi. Po ashtu, në këtë kohë Bankman-Fried dha dorëheqje nga posti i shefit ekzekutiv të kompanisë.

Gjatë intervistave dhe paraqitjeve publike, Bankman-Fried ka pranuar se ka bërë gabime gjatë udhëheqjes së kompanisë, por ka tentuar që të distancojë veten nga akuzat për aktivitete kriminale.

Kolapsimi i FTX erdhi në kohën kur industria e kriptovalutave ka kaluar nëpër një vit të trazuar. Gjatë këtij viti, Bitcoin ka humbur më shumë se 60 për qind të vlerës së tij, ndërkaq vlera e kriptovalutave të tjera po ashtu ka rënë.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat