Shtrenjtimi deri 4-fish i tarifave të transportit të mallrave që nisi pas pandemisë nuk ndikoi të rënia e volumit tregtar, në nivelet e larta që po ndikon shtrenjtimi i çmimeve.
Operatorë të transportit të mallrave pohojnë se pas muajit gusht volumi i transportit të produkteve ushqimore dhe jo ushqimore vazhdon të zgjasë.
Prej prillit të vitit të kaluar transporti me kamion i mallrave dhe me anije gjendet në një realitet të ri për çmimet e larta të tarifave të transportit. Para periudhës së krizës, tarifa për importin e një kontejneri me mallra nga Kina ishte 2,000 deri 3,000 dollarë. Tarifa e transportit në 2021 arriti në 12,000-17,000 dollarë. Ndërsa tarifat e transportit me kamion për vendet fqinje si Italia nga 900 deri 1,000 euro variojnë deri në 2,000.
Por shtrenjtimi i tarifave të transportit nuk ndikoi te tkurrja e kërkesës për mallra. Në këtë periudhë operatorët e transportit nënvizonin se kërkesa për transport e mallrave është shumë e lartë dhe e papërballueshme me flotën e mjeteve dhe drejtuesit e kamionëve që disponojnë.
Andi Shijaku drejtor për transportin e mallrave në kompaninë “Shega Trans” pohon se arsyeja e rënies së volumit të transportit të mallrave me kamion është ndikuar nga shtrenjtimi i çmimeve.
“Pas muajit gusht ka filluar rënia e volumit tregtar në transportin e mallrave ushqimore, por edhe produkteve të tjera industriale në rrugë tokësore me kamion. Rënia e kërkesës për transportin e mallrave ka vijuar edhe për muajt tetor dhe nëntor krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021.
Edhe muaji dhjetor rezulton të jetë një periudhë e vakët, në raport me vjet dhe vitet e tjera. Shkak i rënies së volumit janë çmimet e larta të mallrave të ndikuara nga kriza botërore. Rritja e çmimeve ka ndikuar te ulja e konsumit. Për këtë arsye kompanitë kanë ulur furnizimet, pasi rrezikojnë të krijojnë stok në magazina”.
Për sa i përket tarifave të transportit Shijaku thotë se për transportin e mallrave me kamion tarifa vijojnë të jenë të stabilizuara, në nivelet pas pandemisë, ndërsa për transportin e mallrave me kontenier nga Kina tarifat janë ulur.
Sakaq sipas të dhënave të INSTAT transporti i mallrave në muajin tetor 2022 shënoi rënie në porte, ndërsa u rrit në hekurudhë dhe me ajër.
Volumi i mallrave të transportuar me ajër ishte 204,2 ton, duke u rritur me 14,4 %, në krahasim me Tetor 2021. Volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte, është 284,5 mijë ton, duke u ulur me 31,2 %, krahasuar me tetor 2021. Volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë është 1.478 mijë ton-kilometër, duke u rritur me 0,3 %, krahasuar me tetor 2021./Monitor/