Yield-i i bonove të thesarit 12 mujore shënoi rënie për herë të parë që prej muajit korrik.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në ankandin e fundit të muajit nëntor, yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 5.8%, nga 5.83% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë realizoi emetimin e shumës së plotë të planifikuar prej 11.5 miliardë lekësh, ndërsa për të dytin ankand radhazi kërkesa u paraqit mjaft e lartë, duke arritur një shumë totale prej 17.1 miliardë lekësh.
Rënia për herë të parë në katër muaj mund të jetë një tregues që sinjalizon se faza disamujore e rritjes shumë të shpejtë të yield-eve, për momentin, ka përfunduar.
Rritja e ndjeshme e kërkesës së investitorëve në ankandet e fundit duket se ka luajtur një rol të rëndësishëm në frenimin e rritjes së yield-eve.
Këtë muaj Kryeministri u bëri thirrje individëve të investonin në instrumentet e borxhit të qeverisë, për të përfituar nga normat më të larta të kthimit.
Rritja e pjesëmarrjes së individëve mund të ketë dhënë një lloj ndikimi në zgjerimin e kërkesës, por megjithatë rolin kryesor në tendencat e tregut e luajnë investitorët institucionalë dhe kryesisht bankat, që duket se në javët e fundit po rrisin kërkesën në ankandet e bonove.
Gjithashtu, edhe fondet e investimit në këtë periudhë po i zhvendosin investimet e tyre drejt instrumenteve afatshkurtra, si një mënyrë më e mirë për të amortizuar efektet negative të rritjes së yield-eve në normat e tyre të kthimit.
Frenimi në rritjen e yield-eve mund të reflektojë edhe pritshmëritë për një rritje më të ngadaltë të normave të interest në vazhdim nga Banka e Shqipërisë.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës Qendrore e ka rritur normën bazë me nga 0.5 pikë përqindje në tre mbledhjet e fundit, në përgjigje të niveleve të larta të inflacionit dhe sidomos rritjes së vazhdueshme të inflacionit bazë.
Megjithatë, ekspertët besojnë se në vazhdim normalizimi i politikës monetare mund të ndjekë një ritëm më të ngadaltë.
Kjo pritet ta stabilizojë tregun e bonove dhe obligacioneve, që po karakterizohej nga ritme të shpejta të rritjes së yield-eve, sidomos pas tremujorit të tretë, kur Banka e Shqipërisë e shpejtoi ritmin e normalizimit monetar.
Pritshmëritë e investitorëve dhe niveli i lartë i inflacionit bënë madje që rritja e yield-eve të titujve të borxhit të ishte edhe më e lartë se rritja e normës bazë.
Nëse norma bazë është rritur me 2.25 pikë përqindje, yield-i mesatar i ponderuar i bonove 12 mujore është rritur me më shumë se katër pikë përqindje në harkun e një viti.
Duke qenë se bonot 12-mujore janë edhe treguesi kryesor benchmark në kreditimin e sektorit privat, kjo ka sjellë edhe një shtrenjtim të fortë të kësteve të kredive me interes të ndryshueshëm. Për këtë arsye, frenimi i rritjes së yield-eve është një lajm i mirë për huamarrësit.
/Monitor
LEXO EDHE: Bonot e thesarit dhe obligacionet/ Përqindja mes bankave, institucioneve financiare dhe qytetarëve