11.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetMrekullia e informacionit dhe dështimi gjatë COVID

Mrekullia e informacionit dhe dështimi gjatë COVID

Nga Dr. Erion Dasho

Prej vitesh informacioni shëndetësor dhe teknologjia e informacionit janë bërë përcaktuese në shëndetësi. Sot një spital në vendet e zhvilluara nuk mund të konceptohet pa sisteme të avancuara të informacionit shëndetësor që përfshijnë kartelën elektronike të pacientit, sistemet e menaxhimit të informacionit financiar, sistemet e informacionit të logjistikës, sistemet ndërlidhëse me kompanitë e sigurimeve, bankat dhe faktorë të tretë të rëndësishëm, sistemet e menaxhimit të aseteve, sistemet e menaxhimit të ndërtesës, etj. Janë dhjetëra aplikacione dhe software që një spital modern përdor si pjesë e veprimtarisë së përditshme.

Në vendet më pak të zhvilluara, situata sigurisht nuk është në këto nivele. Arsyeja është në radhë të parë ekonomike (një sistem i tillë i informacioni kushton disa milionë euro për spital), por edhe e lidhur me elementë të tregut, kapacitetit të burimeve njerëzore, etj. Në këto kushte spitalet e vendeve të varfëra kanë adoptuar disa elementë të domosdoshëm ku veçohet të paktën kartela elektronik e pacientit, baza e çdo sistemi shëndetësor modern.

Në nivel kombëtar, vendet e varfëra kanë ngritur sisteme raportimit të informacionit, ku çdo spital apo qendër shëndetësore raporton periodikisht indikatorë të caktuar. Këto analizohen në nivel kombëtar apo rajonal dhe ndihmojnë në planifikimin, financimin, organizimin, menaxhimin dhe monitorimin e shëndetit të popullatës dhe individëve. Me forcimin e organizatave ndërkombëtare (si OBSH-ja), këto indikatorë gjithmonë e më tepër analizohen në nivel kontinenti apo edhe global.

Kjo është gjendja e informacionit shëndetësor sot. Me plot gojën, sistemet e informacionit mund të quhen një mrekulli e modernizmit që ka transformuar mënyrën e ofrimit të kujdesit shëndetësor. Nga rëndësia që ka për të ofruar kujdes shëndetësor cilësor, efektiv dhe të sigurt, informacioni shëndetësor nuk bie poshtë medikamenteve, pajisjeve, burimeve njerëzore, materiale dhe financiare.

* * *

Ç’ndodhi gjatë COVID-it?

Gjatë muajve të parë, në rrëmujën dhe panikun që pasoi përhapjen galopante të COVID-it në botë, informacioni u la në harresë. Raporti i Fergusonit në mars 2020 shfrytëzoi me profesionalizëm të dhënat e para që grumbulloi në Kinë dhe dha rekomandimet e para me interes ndërkombëtar. Fatkeqësisht, një raport të tillë konciz (i gjithë raporti ishte vetëm njëzet faqe) dhe profesional nuk e pamë të ribotohet gjatë pandemisë. Ka lumenj të tërë informacioni të cilën jo një njeri i thjeshtë, por edhe një profesionist e ka të vështirë t’i analizojë dhe “gëlltitë”.

Shpesh informacionit kanë qënë kundërthënëse dhe jo rrallë, ajo që pohohej një ditë, mohohej pas disa ditësh, madje ka patur raste edhe brenda të njëjtës ditë. Kjo ngjalli konfuzion dhe u bë një nga ushqyesit kryesorë të teorive konspitarative. Një një botë të dominuar nga informacioni, mungesa e tij është shumë lehtë të paraqitet si fshehje e qëllimshme apo si përpjekje për manipulim.

Pasojat e kësaj mendësie i kemi parë në fillim të pandemisë tek personat mosbesues ndaj COVID-it dhe rrezikut që kjo sëmundje përfaqëson për shëndetin dhe jetën. Sot këto pasoja vazhdojmë t’i shohim tek rezistenca për t’u vaksinuar apo për të pranuar se përsa kohë do të ketë COVID, duhet të ketë edhe masa kufizuese që synojnë minimizimin e rreziqeve shëndetësore lidhur me të.

* * *
Po Shqipëria?

Edhe Shqipëria ka bërë të njëjtat gabime në raport me informacionit shëndetësor gjatë periudhës së COVID-it. Në një farë mase, gabimet e Shqipërisë janë objektive.

Shëndetësia shqiptare ka shkallën më të ulët të informatizimit që mund të haset në një vend europian. Madje ka vende afrikane ndër më të varfërit në botë që qëndrojnë para Shqipërisë përsa i takon shkallës së informatizimit në shëndetësi.

Sikur të mos mjaftonte kjo, autoritetet shëndetësore dhe komiteti i ekspertëve kanë fshehur apo manipuluar qëllimisht informacionin lidhur me COVID-in. Raportimi i shumë më pak rasteve (disa dhjetëra herë më pak) gjatë katastrofës shëndetësore të dimrit dhe fshehja e numrit të vdekjeve në spitale ishin vetëm maja e ajsbergut.

Pasoja kryesore e kësaj fshehje dhe manipulimi është mosbesimi i thellë i krijuar midis publikut dhe autoriteteve shëndetësore dhe po shihet qartë në qëndrimin ndaj vaksinimit. Ndonëse disponohen vaksina në sasi të mjaftueshme dhe së fundi u është dhënë qytetarëve mundësia e zgjedhjes së vaksinës, akoma më pak se çereku i shqiptarëve janë vaksinuar me dy doza.

* * *

Çfarë duhet bërë në Shqipëri?

Për të rifituar besimin e publikut duhet të bëhet sa më parë transparenca e informacionit. Për momentin, nuk ka asnjë justifikim që vazhdohet me deklaratën e thatë ditore kur raportohet numri i testeve, rasteve dhe vdekjeve.

Përse nuk raportohet numri i rasteve midis personave të vaksinuar?

Përse antarët e komitetit në vend që të flasin si papagallë, nuk analizojnë riskun e personave të vaksinuar për t’u prekur nga varianti delta sipas tipit të vaksinës që është administruar?

Përse vazhdojnë të raportohen vetëm rastet COVID të shtruar në QSUT dhe nuk referohet nëse ka raste që trajtohen në spitalet private apo spitalet e rretheve?

* * *
Shqipëria nuk është i vetmi vend që dështoi në informimin e qytetarëve të vet, por fatkeqësisht hyn ndër ato vende që dizinformimin e bënë qëllimisht.

Nëse autoritet shëndetësore, qeveria dhe komiteti i ekspertëve presin që qytetarët shqiptarë të jenë bashkëpunues lidhur me vaksinimin apo masat që duhen marrë në përgjigje të qarkullimit të variantit delta, sigurisht që ata duhet të ndryshojnë rrënjësisht transparencën dhe komunikimin me qytetarët.

Ndryshimi duhet të nisë tek transparenca!

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat