14.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreKryesoreAvantazhet dhe sfidat e ligjit të ri për Sigurimin e Detyrueshëm

Avantazhet dhe sfidat e ligjit të ri për Sigurimin e Detyrueshëm

Veprimtaria e tregut të sigurimeve ka qenë e rregulluar ligjërisht në kuptimin formal të saj, për herë të parë me Ligjin nr. 10 076, datë 12.02.2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”. Në zbatim të këtij ligji u nxorrën dhe miratuan më pas një tërësi aktesh nënligjore që e formësuan detajisht këtë treg, pavarësisht sfidave dhe vështirësive që do të pas-shoqëronin këtë profil industrie relativisht të paeksploruar në vendin tonë.

Në 2021 hyri në fuqi Ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm me nr. 32/2021, i cili në rrjedhën e përmirësimit të tregut, hapi një sërë perspektivash tejet interesante dhe sifduese mbi veprimtarinë e tregut të detyrueshëm motorrik në Shqipëri.

Përgjegjësitë që ngarkohen mbi tregun e sigurimeve, pikësëpari kanë shfaqur një sfidë domethënëse për të përballuar pagesat e domosdoshme për fondin e kompensimit[1], të cilat ndryshe nga një treg i centralizuar dhe drejtuar nga një organizim shtetëror, është decentralizuar në baza private, sipas modeleve që ekzistojnë dhe operoj në sot në perëndim.

Përbën një fakt domethënës dhe të rëndësishëm, baza krahasimore që mund të bëjmë aktualisht, ndërmjet nivelit të pagesave që kryheshin përgjatë periudhës kur nuk kishte një ligj specifik të tregut të sigurimeve (pra para vitit 2009) dhe nivelit të pagesave që janë bërë kur ky treg u normua me një ligj adekuat, të posaçëm për tregun e sigurimit të detyrueshëm.

Kështu për periudhën 2001 – 2009, për dëme të shkaktuara nga automjete të pasiguruara, nga Fondi i Kompensimit janë bërë pagesa dëmshpërblimi në shumën prej rreth katërqind e tridhjetë milionë lekë. Ndërkohë për periudhën 2010-2021, pasi ishte implementuar ligji i posaçëm për sigurimin e detyrueshëm, janë bërë pagesa për dëmshpërblim në shumën prej katër miliard e nëntëqind e tridhjetë milionë lekë, apo e shpjeguar ndryshe është paguar një shifër dëmshpërblimi 10- fish më e madhe karahasimisht me periudhën kur ka patur vakancë ligjore.

Ligji për sigurimin e detyrueshëm (pra i zbatueshëm për periudhën 2009 – 2021), përveç rregullimit të posaçëm dhe të nevojshëm, shpalosi një sërë nevojash për rregullime të mëtejshme, sidomos në ndihmë të të dëmtuarit nga aksidentet. Si nevojë e tregut, e drejtuesve të mjeteve e sidomos e konsumatorit, në korrik të vitit 2021, hyri në fuqi Ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm me nr. 32/2021, i cili në rrjedhën e përmirësimit të tregut, hapi një sërë perspektivash tejet interesante dhe sifduese mbi veprimtarinë e tregut të detyrueshëm motorrik në Shqipëri.

Rritja e transparencës në trajtim, vlerësim dhe pagesë dëmshpërblimi.

Transparenca dhe informimi ka qenë një ndër prerogativat që ka motivuar hartimin dhe miratimin e një ligji të ri, në fushën e sigurimit të detyrueshëm. Përtej procedurave dhe metodologjive mbi përllogaritjen dhe akordimin e një dëmi të shkaktuar (sidomos të dëmit me pasoja në shëndet), të cilat në praktikë kërkonin një kohë më të gjatë në trajtim dhe shoqëroheshin me vështirësi në të kuptuarit të klientit, mbi vlerën që do të përfitonte, ligji i ri shënoi një progres përsa i përket kësaj pikë duke shmangur çdo paqartësi mbi këtë tematikë.

Në bazë të nenit 25 të Ligjit nr. 32/2021 “Përgjegjësia e shoqërisë së sigurimit dhe shuma e siguruar”, të gjitha figurat (llojet) e dëmeve janë të parashikuara në mënyrë të detajuar së bashku me vlerat korresponduese të tyre. Në këtë mënyrë, çdo i interesuar, mjafton të ngarkojë të dhënat personale (mosha, paaftësia etj) dhe shuma e dëmshpërblimit do të rezultojë menjëherë e kalkuluar. Nuk rezulton më e nevojshme për të pritur procedurat e trajtuesve të dëmit mbi masën e dëmshpërblimit, ndërkohë që një informacion i tillë tashmë është transparent dhe i aksesueshëm nga çdo individ dhe i pavarur nga asnjë vullnet i siguruesit.

Mbrojtje më e madhe ndaj konsumatorit.

Ligji i ri i dha zgjidhje edhe procedurave që duhen ndjekur menjëherë pas ndodhjes së një aksidenti. Për dëmet materiale me pasoja jo të rëndësishme (me vlerë deri në 30.000 lekë), drejtuesit e mjeteve kanë të drejtë të kërkojnë dhe të dëmshpërblehen pa nevojën e caktimit të fajësisë përmes shërbimeve policore. Në këtë mënyrë shmanget nevoja për pritjen e policisë në vendin e aksidentit si edhe paraqitja në mënyrë të përsëritur për të tërhequr kopjen e dokumentacionit në agjencitë e policisë rrugore. Risia e sjellë me ligjin e ri, i dha fund pritjes në rast aksidenti me pasoja materiale, si edhe uli kostot për sigurimin e dokumentacionit të nevojshëm nga shërbimet policore.

Një moment i rëndëishëm ishte edhe gjetja e mekanizmit për të shmangur rastet e mashtrimit në sigurime. Në mënyrë të përsëritur janë konstatuar raste kur të dëmtuarit janë mashtruar nga përfaqësuesit e tyre ligjorë, të cilët përvetësonin për veten e tyre në mënyrë të padrejtë një shumë më të madhe monetare, e në raste të posaçme, një shumë më të madhe edhe se vlera që i jepnin të dëmtuarit.

Një praktike të tillë, ligji i ri nr. 32/2021 i ka dhënë një zgjidhje të posaçme, e cila shmang çdo eventualitet të mundshëm që mund të përbëjë rast mashtrimi ndaj konsumatorit. Në nenin 10, në dispozitën “Procedura dhe afatet për dëmshpërblim”, pika 8 sanksionon se “Shoqëria e sigurimit duhet të kryejë pagesën e dëmshpërblimit në llogarinë bankare personale të të dëmtuarit ose përfituesit. Pala e dëmtuar ose përfituesi, në rat se merr shërbime nga mbrojtësi ligjor, mund t’i paguajë deri në 5 % të vlerës së dëmshpërblimit të përfituar, por jo më pak se tarifat e përcaktuara në aktet përkatëse…”. Në këtë mënyrë i jepet një mbrojtje më e mirë interesit të konsumatorit, i cili përveçse është më i informuar dhe i mbrojtur duke ju drejtuar drejtpërdrejt kompanisë së sigurimit, por nga ana tjetër, sanksionohet se shuma e dëmshpërblimit duhet të kreditohet nga kompania direkt në llogarinë e tij personale.

Rritja e masës së dëmshpërblimit.

Fillimisht miratimi i ligjit nr. 10076/2009, ridimensionoi tërësisht metodologjinë e përllogaritjes si edhe limitet e përgjegjësisë së mbulimit në sigurim. Kështu për të gjitha llojet e dëmeve u përcaktuan limitet e mbulimit në sigurim, të cilat parashikuan masa dëmshpërblimi plotësisht të moderuara nga çka ekzistonin deri në atë periudhë.

Me miratimin e ligji të ri në fushën e sigurimit të detyrueshëm motorrik, vlerat e limiteve të mbulimit në sigurim, patën përsëri një rritje të rëndësishme (mesatarisht me 10 % të shumës nga sa kishte parashikuar ligji 10076/2009), ndërkohë që për 4 vitet e ardhshme në mënyrë proporcionale do të ketë përsëri rritje të limiteve në sigurim. Ky sanksionim përkthehet në një përfitim më të madh të konsumatorëve, të cilët aktualisht për të njëjtin lloj dëmtimi, në sajë të ligjit të ri, përfitojnë një masë më të madhe dëmshëprblimi nga sa më përpara.

Qëndrueshmëria dhe perspektiva.

Fillimisht pandemia e më pas kriza e çmimeve në rajon dhe Europë, sikurse çdo sipërmarrje tjetër ashtu edhe tregun e sigurimit të detyrueshëm, e ekspozoi karrshi risqeve të panjohura e të paeksploruara më parë.

Ndalimi i qarkullimit, e më pas përballimi i kostove të larta nga rritja e çmimeve, pati ndikim të rëndësishëm edhe ne përballimin e fluksit të pagesave të nevojshme, të cilat gjenezën e tyre e kanë patur qysh përpara lindjes së krizave.

Nga ana tjetër, kostot e veprimtarive të sipërmarrjeve në sigurime, pavarësisht ndalimit të qarkullimit të mjeteve, u shoqërua me mos-tregëtim të primeve të sigurimit të detyueshëm, çka rrjedhimisht rriti kostot e përballimit të administrimit të përditshëm të shoqërive.

Ndryshe nga çdo sipërmarrje tjetër, konstatohet qartë se, tregu i sigurimeve i përballoi me sukses sfidat e serviruara përgjatë 3 – 4 viteve të fundit. Për asnjë moment nuk pati vështirësi në pagesa për shkaqe që të lidheshin me paaftësi financiare të shoqërive të sigurimit, si edhe u përballuan me sukses dhe sipas afateve praktikat, përgjegjësi të siguruesve në Shqipëri.

Perspektiva e fushës së sigurimeve paraqitet tejet e qëndrueshme dhe me tregues pozitivë, si përsa i përket anës financiare ashtu edhe situatës ligjore.

Numri dhe volumi i pagesave në vijimësi paraqitet në vlera absolute në rritje. Përllogaritja e masave të dëmshpërblimit në favor të të dëmtuarve paraqitet tejet transparente. Konsumatori do të jetë më i mbrojtur karrshi rasteve dhe praktikave mashtruese në sigurime.

Në tërësi siguruesit prezantojnë gjithë qëndrueshmërinë e nevojshme që të papriturat e fushës servirin dhe janë në gjendje dhe të gatshëm t’iu përgjigjen shpejt dhe plotësisht, çdo nevoje apo kërkimi që zbatimi i legjislacionit në mbrojtje të konsumatorit troket në derën e tyre.

Fondi i Kompensimit, krijohet me financime nga Shoqëritë e Sigurimit anëtare të Byrosë Shqiptare të Sigurimit, që shërben (ndër të tjera) për pagesën e dëmeve të shkaktuara nga automjete të pasiguruara dhe/apo të paidentifikuara. /Shoqata e Siguruesve

 

 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat