Këtë herë do të jetë ndryshe
Një dollar i dobët, në teori, është i favorshëm për vendet në zhvillim. Dollari i dobët në teori ul barrën e borxhit të jashtëm. Importet bëhen më të lira.
Kjo ndihmon rezervat valutore dhe rrit besimin e investitorëve. Ashtu ndodhi në periudhat 1971–1978 dhe 2004–2008.
Këtë herë duket se nuk do të jetë rasti.
Parashikimi i zymtë i The Economist
Dobësimi i dollarit nuk pritet të sjellë përfitime për vendet e varfra.
Ky është produkti i një analize të botuar sot në The Economist, që Sigurime.Online do ta risjellim përmbledhtaz.
Në themel të vijës analitike qëndron sa vijon: Dobësimi vjen si pasojë e tarifave të Trump dhe rënies së kërkesës amerikane.
Në këto kushte dobësimi do të dëmtojë ekonomitë në zhvillim që varen nga eksportet.
Vendet që preken rëndë nga masat e Presidentit Trump, në Azi dhe Afrikë, në vend të forcimit, i kanë parë monedhat e tyre të bien edhe më fort se sa dollari.
Dong-u i Vietnamit, fjala vjen, ra në nivelin më të ulët të regjistruar më 8 prill.
Barra te ekonomitë e varfra
Analiza e The Economist vijon më tej kur pranon se, si rregull, ekonomitë e varfra rriten duke shitur mallra për konsumatorët në vendet e pasura.
Në skenarin më të mirë, mallrat që do të shkonin në SHBA mund të ridrejtohen drejt Kinës dhe Europës.
Kjo do të ndodhte me çmime më të ulëta dhe me kosto shtesë për shkak të tregjeve dhe kufijve të rinj.
Në skenarin më të keq, ekonomitë e mëdha mund të rrisin barrierat e tyre tregtare për të mbrojtur industritë vendase.
Kombinimi i problemeve të sjella nga tarifat me pasigurinë, ka ulur parashikimet për rritjen ekonomike. Gjithashtu është rritur kostoja e huamarrjes përmes bonove dhe aksioneve.
Mund të ndodhë që bankat qendrore të detyrohen të ulin normat e interesit. Me gjasë këtë do ta bëjnë për të rigjeneruar ekonomitë vendëse. Nisma do të zhdukte çdo përfitim të mbetur nga një dollar më i dobët për financat publike, parashikon analiza në fjalë.
Efekte të dukshme
Këtë muaj asnjë treg në zhvillim nuk ka emetuar obligacione të huaja sepse kostoja e huamarrjes në dollarë është rritur, sipas The Economist, që referon JPM Morgan Chase-in.
Vendet në zhvillim, në të ardhmen, mund të përshtaten me tronditjen tregtare, por dollari mund ta humbasë përgjithmonë rolin e tij si valuta dominuese globale.
Sipas The Economist, specialistët nuk presin që ndonjë monedhë e vetme ta zëvendësojë atë, por do të jetë një garë mes dollarit, euros dhe yuan-it.
Këtë barrë mbi supe do ta mbanin vendet në zhvillim.
Bankat qendrore të vendeve më të varfra mund të përballen me rrezikun e menaxhimit të detyrimeve afatgjata në dollarë, ndërsa do të duhet të financojnë importe dhe investime në euro ose yuan.
Për kompanitë kjo do të nënkuptonte zhvendosje mes blloqeve.
Zhvendosja do të ishte kosto shtesë; ndërkohë, do të mbeteshin peng i tensioneve gjeopolitike.
“Humbja e rolit të dollarit mund të jetë lajm i mirë për Kinën dhe Europën, por aspak për pjesën tjetër të botës”, përfundon analiza.