11.5 C
Tirana
Saturday, April 27, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitet“Të diversifikohet tregu i sigurimeve”/ Mete: I gjithë rajoni është i ekspozuar...

“Të diversifikohet tregu i sigurimeve”/ Mete: I gjithë rajoni është i ekspozuar ndaj katastrofave natyrore

Gjatë Konferencës që po zhvillohet sot në Tiranë, me titull “Zhvillimi i sektorit të sigurimeve – Mundësitë dhe sfidat në Evropën Juglindore”, Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete u shpreh ndër të tjera se, i gjithë rajoni është i ekspozuar ndaj katastrofave natyrore dhe ndryshimeve të klimës.

Sigurimi nga katastrofat dhe sigurimi në bujqësi janë në vëmendje të rregullatorëve rajonalë, por edhe atyre ndërkombëtarë, shtoi ai.

“Shqipëria u përball në vitin 2019 me një tërmet me pasoja të rënda, me efekte shkatërrimtare dhe humbje jete. Dëmet e shkaktuara u vlerësuan në rreth 1.1 miliardë euro, ose 7.5% e PBB-së. Nga këto, shoqëritë e sigurimit paguan rreth 40 milionë euro dëme për qytetarët dhe bizneset e dëmtuara. Ndërsa për pjesën tjetër, nga viti 2020 deri aktualisht, nga buxheti i shtetit janë shpenzuar afro 890 milionë euro, për procesin e rindërtimit dhe për pagesat e bonusit të qerasë. Tërmeti nxori në pah një tjetër aspekt, që sigurimi vullnetar i banesave është në nivele shumë të ulëta dhe në pjesën më të madhe i diktuar nga bankat për kreditë hipotekore.

Nisur nga sa më sipër, vlerësohet i domosdoshëm përcaktimi i mekanizmave të mbrojtjes dhe transferimit të rrezikut. Ndaj, me mbështetjen e Bankës Botërore, po shqyrtojmë opsionet më të mira për zhvillimin e një programi kombëtar për sigurimin nga tërmetet. Kjo konferencë do të diskutojë më në detaje për këtë temë, por është e rëndësishme që ky sigurim të jetë me kosto të përballueshme për qytetarët dhe të bazohet në standardet më të mira të menaxhimit të rrezikut.

Po ashtu, bujqësia është një nga sektorët e rëndësishëm të ekonomisë sonë, që rezulton në masë të madhe e ekspozuar ndaj ndryshimit të kushteve klimatike. Sigurimi i bujqësisë mund të ishte një mjet i rëndësishëm i menaxhimit të rrezikut që ndihmon fermerët të mbrohen nga humbjet financiare për shkak të fatkeqësive natyrore dhe kushteve klimatike. Ky sigurim është pak i zhvilluar në Shqipëri, ndaj ndarja e eksperiencave më të mira në këtë drejtim do të ishte e dobishme për një avancim sa më të mirëmenduar”, u shpreh Mete.

LEXO EDHE: Ndikimi i ndryshimeve klimatike në zonën ndërkufitare Shqipëri-Mali Zi

Ai shtoi se diversifikimi dhe zhvillimi i tregut të sigurimeve është i një rëndësie të veçantë, pasi ndikon drejtpërdrejt në një sërë faktorësh, që kanë të bëjnë me zhvillimin e tregjeve financiare, progresin ekonomik të vendit, si edhe sigurinë e qytetarëve dhe bizneseve.

Sigurimet janë pjesë e rëndësishme e sektorit financiar, me kontribut në promovimin e stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik. Ato mund të ulin impaktin e goditjeve në ekonomi, si edhe të rrisin përfshirjen financiare.

Shtysë kryesore për zhvillimin e këtij tregu tashmë do të jetë përafrimi i plotë me standardet evropiane. Udhërrëfyesi i miratuar në bashkëpunim me Bankën Botërore drejt regjimit Solvency II, rregullat e Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar IFRS 17, që pritet të hyjnë në fuqi në fillim të vitit 2025, si edhe më gjerë baza rregullatore evropiane do të jenë përcaktuese për zhvillimin e sektorit të sigurimeve në të gjithë rajonin.

Në këtë rrugë evropiane, zhvillimi i mëtejshëm i tregut, diversifikimi i tij dhe përfshirja më e gjerë financiare do të kenë fokus kryesor”, tha ministri.

Konferenca “Zhvillimi i Sektorit të Sigurimeve – Mundësitë dhe sfidat në Evropën Juglindore“, organizuar nga AMF, mbledh së bashku përfaqësues të nivelit të lartë të Qeverisë Shqiptare, institucionet financiare ndërkombëtare, autoritetet mbikëqyrëse financiare dhe pjesëmarrës të tregut vendas dhe ndërkombëtar.

Gjatë konferencës panelistët po diskutojnë për “Mundësitë dhe sfidat për zhvillimin e sektorit të sigurimeve në Evropën Juglindore”, “Roli i sigurimeve në menaxhimin e riskut të katastrofave” dhe “Sfidat për zhvillimin e sigurimeve në bujqësi”.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat