15.5 C
Tirana
Wednesday, April 24, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetRriten me mbi 50% normat e risigurimeve në Europë

Rriten me mbi 50% normat e risigurimeve në Europë

Primet e risigurimit të pronave në Europë u rritën me më shumë se 50% në rinovimet e kontratave të 1 janarit, pasi rajoni pësoi humbje rekord të pasurive të siguruara gjatë vitit të kaluar për shkak të katastrofave natyrore si përmbytjet dhe stuhitë, sipas një raporti nga ndërmjetësi financiar Gallagher Re.

Risigurimi shërben për të siguruar kompanitë e sigurimit (siguruesit) dhe, për këtë arsye, rritja e normës së risigurimit shpesh i faturohet klientëve të kompanive të sigurimit.

Përmbytjet e muajit korrik në Gjermani dhe në vende të tjera, duke përfshirë Austrinë, Belgjikën dhe Zvicrën, shkaktuan mbi 12 miliardë euro (13.55 miliardë dollarë) humbje të pasurive të siguruara, tha Gallagher Re në raportin mbi rinovimet e kontratave të sigurimit në një nga datat më të rëndësishme në kalendarin e risigurimeve.

Europa gjithashtu kaloi periudha me breshër të fortë dhe pati dëme të tjera nga stuhitë gjatë vitit të kaluar.

Në zonat e goditura nga katastrofat natyrore, normat e risigurimeve në Gjermani u rritën nga 15% deri në më shumë se 50%. Të njëjtat nivele të rritjes u vunë re në të gjithë Europën. Në Zvicër, këto norma u rritën nga 20% deri në mbi 50%.

“Risiguruesit kanë arritur të kenë përmirësime të mëtejshme të çmimeve për të mbështetur rritjet e 18 muajve të fundit,” tha James Kent, CEO në rang global i Gallagher Re.

Disa risigurues kanë reduktuar ekspozimin e tyre në rajon, tha Gallagher Re.

Në Shtetet e Bashkuara, të cilat vitin e kaluar patën një stuhi të madhe dimërore, si dhe shumë zjarre, uragane dhe tornado, normat u rritën 10-25% për zonat e goditura nga këto katastrofa natyrore.

Gjatë vitit të kaluar, katastrofat natyrore shkaktuan humbje globale të pasurive të siguruara në masën e 105 miliardë dollarëve, shifra e katërt më e lartë e regjistruar ndonjëherë, tha risiguruesi Swiss Re muajin e kaluar.

Normat globale të pronave të risiguruara nga katastrofat natyrore u rritën mesatarisht me 10.8% këtë vit, tha ndërmjetësi i risigurimeve Guy Carpenter këtë javë në një raport të veçantë.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat