16.5 C
Tirana
Wednesday, May 1, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetRasti tragjik i Tepelenës dhe aksidentet e shumta rrugore në Shqipëri/ Çfarë...

Rasti tragjik i Tepelenës dhe aksidentet e shumta rrugore në Shqipëri/ Çfarë duhet të mësojmë nga bota?

Ngjarja e rëndë në bypass-in e Tepelenës, ku si pasojë e një aksidenti humbën jetën 4 persona dhe mbetën të plagosur 2 të tjerë, rikthehu edhe një herë në qendër të vëmendjes sigurinë në rrugë dhe disa nga shkaqet se pse aksidentet rrugore në Shqipëri janë në shifra alarmante.

Çfarë thonë shifrat?

Bazuar në të dhënat e INSTAT, gjatë viti 2023, në vendin tonë janë regjistruar zyrtarisht 1.285 aksidente, me një rritje prej 10.3% në krahasim me një vit më parë.

Ndërkohë, numri i të aksidentuarve është rritur me 8.2% krahasuar me vitin 2022 duke e çuar kështu numrin e të aksidentuarve në 1,731 persona.

Edhe viti 2024 nisi me një numër të lartë aksidentesh, teksa vetëm në muajin janar, po sipas INSTAT, në Shqipëri u regjistruan 162 aksidente rrugore.

Ndërsa numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 229 persona.

Sipas të dhënave zyrtare, në pjesën më të madhe të aksidenteve të raportuara në Shqipëri, shkak janë shoferët e grupmoshës 25–34 vjeç, një grupmoshë e re që duket se preferon adrenalinën, nuk ka eksperiencë në drejtimin e mjetit ose i mungon praktika e duhur si pasojë e marrjes së patentës edhe në mënyra joligjore.

Siguria në rrugë rritet vetëm kur njerëzit i binden kufirit të shpejtësisë, vendosin rripin e sigurimit, përdorin mjete të sigurta dhe kanë kryer praktikën e duhur.

Lexojmë mes shifrave

Arsyet e aksidenteve rrugore duken të ndryshme, ndonëse në pjesën më të madhe të rasteve, faji qëndron te drejtuesi i mjetit. Problemi duket kompleks dhe shkaqet janë të shumta.

Për të pasqyruar më konkretisht disa nga specifikat kryesore të këtyre aksidenteve, po i referohemi një analize të viteve më parë, por e zbatueshme edhe në ditët e sotme, të Avni Ponarit, CEO i i SIGAL UNIQA Group Austria.

Sipas tij, bazuar edhe te eksperienca mbi 30-vjeçare në një industri që përfshin dhe sigurimin e makinës dhe merret ndër të tjera edhe me shkaqet e aksidenteve, ja pse ndodhin shumë aksidente në Shqipëri:

1 – Drejtimi i mjetit pa praktikën e duhur, drejtimi në moshë të madhe, humbja e reflekseve dhe kontrolli i mjetit.

2 –  Infrastruktura rrugore.

3 – Mjetet janë të tejpërdorura në rrugë të këqija.

4 – Mungesa e sinjalistikës në rrugët hyrëse e dalëse.

5 – Drejtimi i automjeteve nën efektin e alkoolit.

6 – Përdorimi multifunksional i rrugëve të makinave duke kaluar në to kamionë, vetura, lopë e dele, biçikleta dhe njerëz pa kriter.

7 – Gjithë sistemi rrugor në tërësi, sidomos në hapësirat e rrezikshme dhe mungesa e mbrojtëseve anësore të duhura.

8 – Vendosja e gomave të përdorura nga drejtuesit e mjeteve dhe përdorimi i gomave të njëjta si në dimër ashtu dhe në verë.

9 – Mungesa e frikës ndaj ligjit.

Çfarë mund të bëhet?

Në një analizë të Bankës Botërore, shtimi i numrit të policëve në rrugë, kombinuar me kamerat fikse rrugore që monitorojnë shpejtësinë mesatare, ndihmon në parandalimin e aksidenteve.

Qasja e “sistemeve të sigurta” që përdor Suedia për sigurinë rrugore mund të jetë një model që i vlen Shqipërisë.

“Sistemet e sigurta” pranojnë që njerëzit do të bëjnë gabime dhe synojnë të mbrojnë trupin e njeriut nga pasojat e gabimit.

Kjo do të thotë, për shembull, ridizenjimi i rrugëve në mënyrë që të mos ndodhin ndikime të rënda, ose ndërtimi i barrierave në rrugë nga materiale si tel fleksibël.

Qasje të tjera përfshijnë rikonfigurimin e rrugëve për të ndarë korsitë e trafikut dhe për të parandaluar përplasjet ballë për ballë dhe ndërtimin e automjeteve me airbags që mbrojnë trupat e njerëzve gjatë goditjeve.

Ky sistem i Suedisë përfshin zbatimin e rreptë të ligjit për qarkullimin rrugor, rritjet e standardeve të automjeteve, shërbimet e shpëtimit, edukimin dhe fushatat ndërgjegjësuese.

Një shembull janë edhe rrugët që Suedia i quan 2+1: 2 korsi në një drejtim dhe një korsi në drejtimin tjetër, me pengesa mes tyre dhe me korsitë që ndërrohen herë pas here për të lejuar parakalimin në të dy drejtimet.

Futja e këtyre modeleve shkaktoi një rënie mbi 90% të vdekjeve në rrugë.

Në studimet e fundit, në raport me numrin e popullsisë, Norvegjia ka numrin më të ulët të vdekjeve si pasojë e aksidenteve në rrugë dhe e gjitha si pasojë e një politike që thekson se siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët.

Arsye të tjera janë përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe nxitja e bashkëpunimit të të gjitha nivelet qeverisëse dhe përfshirja e sektorit publik dhe privat.

Problemi në Shqipëri është shumë kompleks, sepse në disa raste shkaku është rruga, në disa raste makina e vjetër, herë tjetër shpejtësia e shoferit, patenta e siguruar me lekë, këmbësorët që ecin pa kriter etj. Problemi është kompeks, por i menaxhueshëm.

Askush nuk mund të pretendojë që të mos ndodhin më aksidente – prandaj quhen të tillë – por mund të ulet numri i tyre, ose të paktën numri i njerëzve që humbin jetën.

LEXO EDHE: Çfarë ndodh nëse përfshihemi në aksident dhe nuk kemi Sigurimin TPL? Cilat janë limitet e përgjegjësisë? Po KASKO çfarë mbulon?

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat