16.5 C
Tirana
Friday, October 4, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetNumri i përdoruesve të internetit nga celulari arrin shifër rekord, trafiku pothuajse...

Numri i përdoruesve të internetit nga celulari arrin shifër rekord, trafiku pothuajse u dyfishua

Përdorimi i internetit nga rrjetet celulare ka arritur një vlerë rekord në tremujorin e tretë të vitit.

Të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se trafiku total i të dhënave arriti në 45.6 milionë GB (Gigabyte), në rritje me 96% krahasuar me të njëjtën periudhë të një një viti më parë. Rritja ka përmasa të mëdha edhe e matur si trafik mesatar për përdorues.

Gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, çdo përdorues shpenzoi 6.94 GB internet në muaj, me një rritje prej 74.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas AKEP, për tremujorin e tretë numëroheshin 2.19 milionë përdorues të internetit me brez të gjerë nga rrjetet celulare, numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë në Shqipëri. Krahasuar me një vit më parë, numri i përdoruesve është rritur me 12%.

Potencialet e shërbimit të internetit nga rrjetet celulare pritet të rriten edhe më shumë me kalimin në gjeneratën e radhës teknologjike, 5G. Rrjetet 5G mund të ofrojnë shpejtësi maksimale interneti që tejkalojnë kufirin e 10 Gbps ose 10 herë më të larta krahasuar me versionet më të avancuara të teknologjisë 4G. AKEP pritet që të shpallë tenderin për dhënien në përdorim të frekuencave të para për këtë teknologji në mesin e vitit të ardhshëm.

Rritja e lartë e përdorimit të internetit gjatë tremujorit të tretë, përveç rritjes së vazhdueshme organike të tregut, mund të shpjegohet edhe me sezonin më pozitiv turistik krahasuar me vitin e kaluar, kur efekti i pandemisë dhe masave kufizuese ishte shumë më i lartë. Efekti i turizmit gjatë tremujorit të tretë duket edhe në tregues të tjerë statistikorë të tregut të komunikimeve celulare, duke filluar nga numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare.

Për tremujorin e tretë, përdoruesit aktivë u rritën në 2.66 milionë, në rritje me 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vitin e kaluar, përdoruesit e përkohshëm të telefonisë celulare, si për shembull emigrantët apo turistët pësoi rënie të fortë, për shkak të paralizimit të udhëtimeve. Këtë vit riaktivizimi i lëvizjes duket se ka ndikuar edhe në shtimin e numrit të përdoruesve.

Operatori që raporton rritjen më të lartë në numrin e përdoruesve aktivë është One Telecommunications, me 31.5%, i ndjekur nga Albtelecom me 4.3%, ndërsa operatori më i madh, Vodafone Albania paraqitet në rënie me 5% krahasuar me një vit më parë.

Zgjerimi i bazës së përdoruesve ka sjellë edhe një rritje të ndjeshme të trafikut të thirrjeve nga rrjetet celulare. Krahasuar me një vit më parë, ky trafik është rritur me 7.9%. Për tremujorin e tretë çdo përdorues ka kryer mesatarisht 185 minuta thirrje në muaj nga telefoni i tij celular, në rënie të lehtë me 1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Përdorimi mesatar ka pësuar rënie sepse numri i përdoruesve është rritur me ritme më të larta në raport me trafikun total të thirrjeve.

Megjithatë, një faktor që po ndikon gjithnjë e më shumë trafikun e thirrjeve direkte nga rrjetet është zëvendësimi i tyre me aplikacionet e komunikimit nëpërmjet internetit. Këto aplikacione kanë zëvendësuar në një masë të madhe thirrjet zanore dhe mesazhet e shkruara. SMS-të vijuan rënien edhe në tremujorin e tretë, me 15.7% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. /Monitor

Lexo edhe: Pandemia/ 13.3% e bizneseve shitën online në 2021, SIGAL UNIQA ndër të parat që ofroi këtë shërbim

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat