Nga limitet e shpejtësisë te helmetat e detyrueshme. Si po përballen shtetet europiane, por edhe ato amerikane, me rregullat e mirëcaktuara për e-bicycle apo siç njihen ndryshe, monopatinat.
Disa i dashurojnë, të tjerë i urrejnë, por biçikletat elektronike duken se janë mjeti lëvizës, jo vetëm më në modë, por edhe më pak i kushtueshëm i momentit.
Vetëm për 2022, fitimet e kompanive që i prodhojnë e tregtojnë kanë kapur shifrën 651.9 milionë euro, sipas të dhënave nga Agjencia Europiane e Statistikave dhe pritet të arrijnë kulmin deri në 2026, me 55.5 milionë e-bicycle që parashikohet të dalin në rrugë deri në atë kohë.
Shihen padyshim si mënyra më e lehtë, e relativisht e përballueshme për njerëzit, për të lëvizur gjatë ditës. Por aksidentet ku përfshihen e-scooter dhe vdekjet e muajve të fundit, nuk premtojnë shumë. Ndaj dhe Komisioni Europian ka nisur punën për hartimin e udhërrëfyesit të qartë, ku do të përfshihen normat e standardizimit, së pari, nga shpejtësia me të cilën duhet udhëtuar me monopatinë.
Roma dhe Parisi janë dy kryeqytetet europiane, me përdorimin më të madh të tyre, por nga 1 janari i vitit të ardhshëm, kushdo që mund të marrë me qira apo të blejë një monopatinë, rregullat do t’i ketë të qarta: Duhet të jesh adult, në qytet nuk mund të kalosh limitin e 25 km në orë ndërsa brenda zonave të banuara, jo më shumë se 6 km në orë. Do të limitohet po ashtu edhe numri i monopatinave që do të jepen me qira.
Oslo, Helsinki dhe Stokholmi do të nisin po ashtu aplikimin e gjobave për shkelësit e rregullave, ndërsa qarkullimin mbi e-scooter në orët e natës do ta ndalojë me ligj dhe kjo sepse numri më i lartë i aksidenteve ndodh në mbrëmje.
Danimarka Spanja e Norvegjia ka shkuar edhe më tej duke e bërë të detyrueshme edhe mbajtjen e kaskave mbrojtëse për këdo që përdor një monopatinë.