15.5 C
Tirana
Thursday, May 9, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetMes vendeve më të rrezikuara nga fatkeqësitë natyrore/ Por vetëm 5% e...

Mes vendeve më të rrezikuara nga fatkeqësitë natyrore/ Por vetëm 5% e banesave në Shqipëri kishin një sigurim prone gjatë vitit 2022

Tërmeti tragjik i 6 shkurtit që goditi Turqinë dhe Sirinë dhe ka lënë dëme të mëdha në njerëz dhe ndërtesa, soli edhe një herë në kujtesë të qytetarëve shqiptarë rrezikun e lartë nga fatkeqësitë natyrore.

Shqipëria është një vend me aktivitet të lartë sizmik dhe në nëntor të vitit 2019 u përball me një tërmet të fortë që shkaktoi 51 viktima, shumë të plagosur dhe dëme të mëdha materiale.

Fatura e dëmeve u vlerësua në më shumë se 1 miliard euro dhe në pjesën dërrmuese këto dëme u mbuluan nga programi i rindërtimit, financuar nga buxheti i shtetit dhe nga donatorë të ndryshëm.

Kompanitë e sigurimeve paguan rreth 40 milionë euro dëme të lidhura me këtë ngjarje.

LEXO EDHE: Dy vjet nga tërmeti tragjik/ Dje, sot, nesër… SIGAL UNIQA krah jush gjithmonë

Por sërish shkalla e sigurimit ndaj fatkeqësive natyrore në Shqipëri mbetet shumë e ulët.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se për vitin 2022, primet e shkruara bruto për sigurimin e pronave nga katastrofat kishin vlerën e 1.82 miliardë lekëve, ose më pak se 16 milionë euro.

Shpenzimi mesatar për frymë për sigurimin e pronës nga fatkeqësitë natyrore vlerësohet në më pak se gjashtë euro për frymë ose më pak se 21 euro për familje. Pa harruar këtu që në pjesën dërrmuese, kontratat janë të lidhura me detyrimin e vendosur nga bankat për sigurimin e pronave të lëna si kolateral dhe me sigurimet në segmentin e biznesit.

Sipas shifrave të INSTAT, numri i përgjithshëm i familjeve në Shqipëri është rreth 765 mijë, ndërsa lidhur me numrin e banesave të dhënat më të fundit janë ato të Censusit 2011, ku u regjistruan rreth 1.075 milionë banesa.

Megjithëse tendencat demografike kanë një prirje të qartë rënëse që nga Censusi i fundit, numri i banesave vlerësohet të ketë pësuar një rritje të ndjeshme, sidomos pas bumit të ndërtimit të viteve të fundit, i përqendruar kryesisht në kryeqytet dhe në zonat bregdetare.

Sipas statistikave, numri total i kontatave të sigurimit për dëmet në pronë (jo vetëm për sigurimin nga katastrofat) arriti në 54 mijë. Pa marrë parasysh që një pjesë e mirë e kontratave i takojnë bizneseve, mund të vlerësohet se aktualisht sigurimi i pronës mbulon vetëm 7% të familjeve ose 5% të banesave.

86% E TERRITORIT TË SHQIPËRISË, E RREZIKUAR NGA FATKEQËSITË NATYRORE

Sipas raportit vjetor të rrezikut botëror, kryer nga Banka Botërore, i cili llogarit Indeksin e Rrezikut të Fatkeqësive për 180 vende bazuar në ekspozimin, ndjeshmërinë, cenueshmërinë, dhe kapacitetet përballuese dhe përshtatëse, Shqipëria renditet e para në Evropë dhe e 61-ta në botë.

Nga territori i përgjithshëm i Shqipërisë, 86% është e prirur ndaj fatkeqësive; kjo zonë gjeneron 88.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP).

Humbjet mesatare vjetore për shkak të fatkeqësive janë rreth 2.5% e GDP-së, ku vetëm nga përmbytjet dëmet llogariten mesatarisht 48 milionë dollarë në vit.

PSE KJO SITUATË NË SHQIPËRI?

Drejtuesit e kompanive të sigurimit mendojnë se në dështimin e krijimit të një kulture të sigurimeve në Shqipëri ka edhe një përgjegjësi të madhe nga ana e shtetit.

Sipas tyre, mbulimi apo kompensimi i dëmeve nga shteti në rastet e fatkeqësive natyrore, si tërmetet apo përmbytjet, bën që qytetarët të mos ndërgjegjësohen rreth rëndësisë së sigurimit për të qenë të mbrojtur financiarisht ndaj dëmeve të mundshme në pronë apo në shëndet.

Në këto kushte, sigurimin kërkojnë prej vitesh krijimin e një skeme kombëtare për sigurimin nga katastrofat. Shumica e siguruesve janë të mendimit se një skemë e tillë duhet të jetë e detyrueshme.

Megjithatë, disa prej tyre mendojnë se pjesëmarrja në këtë skemë mund jetë edhe vullnetare, por me kusht që të përcillet qartë mesazhi se, në rast të fatkeqësive natyrore, dëmi nuk do të paguhet nga shteti dhe qytetarët duhet ta marrin vetë përsipër rrezikun financiar.

Qytetarët duhet të dinë se, sigurimet janë ato që të krijojnë personalitetin dhe dinjitetin e njeriut. Aot mundësojnë pavarësinë e çdo qytetari nga shteti sepse nëse ke një paketë sigurimesh ty nuk të intereson të dish as se kush është kryeministri, kush është ministri i shëndetësisë apo ministri i financave etj. Qytetarit i intereson kontrata që ke nënshkruar me kompaninë e sigurimeve e cila të dëmshpërblen për dëmet e pësuara.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat