Mbulimi parametrik po bëhet një nga format më tërheqëse të sigurimit për kompanitë e mëdha në një kohë me rreziqe gjithnjë e më të larta klimatike.
Dikur i kufizuar vetëm në fermat e vendeve në zhvillim, modeli ofronte pagesa të menjëhershme bazuar në parametra të matshëm si shpejtësia e erës apo sasia e reshjeve.
Kompani si Sanofi, Liberty Latin America dhe Greenbacker Capital po e përdorin gjithnjë e më shumë këtë mbulim për të mbrojtur furnizimin dhe investimet.
Deri në vitin 2033, ky treg pritet të arrijë 34 miliardë dollarë.
Fondet e investimeve po i kthejnë gjithashtu sytë nga sigurimet parametrike si një alternativë ndaj obligacioneve katastrofike.
Twelve Capital, një firmë zvicerane, ka lançuar fondin e parë të këtij lloji — Lumyna-Twelve Parametric ILS — i cili ka tërhequr tashmë 99 milionë dollarë dhe synon të rrisë kapitalin në 200 milionë euro vitin tjetër.
Investitorët e vlerësojnë për kthimet potencialisht më të larta dhe faktin që shmanget bllokimi i kapitalit për periudha të gjata.
Sidoqoftë, ekspertët paralajmërojnë se duhet kujdes në përzgjedhjen e marrëveshjeve, pasi rreziku dhe përfitimi mund të ndryshojnë në kohë.
Zhvillimet e fundit tregojnë një orientim të qartë të tregut drejt zgjidhjeve më fleksibël e të shpejta për menaxhimin e rreziqeve natyrore.
Përveç industrisë farmaceutike dhe energjisë së rinovueshme, po shtohen përdorimet për parqet diellore, turbinat me erë, përmbytjet bregdetare apo mbrojtjen e punëtorëve në kushte ekstreme.
Shembulli i Liberty, që mori 44 milionë dollarë brenda pak ditësh pas uraganit Beryl, siç dëshmon Insurance Journal, tregon sesi sigurimi parametrik mund të luajë rol kyç në rimëkëmbjen e shpejtë dhe të qëndrueshme përballë krizave klimatike.




