13.5 C
Tirana
Wednesday, May 6, 2026
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetCEO i SIGAL sjell kujtime nga deti në nderim të 90-vjetorit të...

CEO i SIGAL sjell kujtime nga deti në nderim të 90-vjetorit të ish-komandantit të flotës Skënder Doçi

Në dokumentarin e gazetarit Tom Therçaj, “Malësori i detit”, në nderim të jetës 90-vjeçare dhe karrierës së gjatë të ish-komandantit të flotës detare ushtarake Skënder Doçi, ndër folësit që ndanë kujtime dhe episode nga e shkuara ishte edhe CEO i SIGAL Insurance Group, z. Avni Ponari.

Më herët ai kishte ndarë me publikun edhe një detaj interesant. Vetë emri i kompanisë SIGAL vinte nga deti, kur dikur z. Ponari shërbente si kapiten marine.

Në “Malësori i Detit” të gazetarit Tom Therçaj, z. Ponari ndau kujtime episodike dhe konsiderata të larta për ish-komandantin dhe komisarin e flotës detare, Skënder Doçin.

“Me Skënder Doçin jemi nga një zonë, jemi nga Krasniqja. Babai i tij ka qenë komandant i brigades XXV sulmuese, ku ka qenë edhe babai im dhe dy xhaxhallarët e mi. Veli Nimani ka qenë një njeri shumë i zoti, që rridhte nga tradita shumë të mëdha; ishte komandant i brigadës, por ishte edhe delegat në Konferencën e Bujanit dhe kryesues e firmëtar në këtë konferencë. Nga kjo konferencë ndoshta humbi edhe jetën menjëherë pas çlirimit të Shqipërisë”, rrëfeu z. Ponari për origjinën patriotike të familjes së ish-komisarit Skënder Doçi.

“Skënder Doçin e njoha shumë vonë, natyrisht kur mbarova gjimnazin, sepse Skënderi ishte në flotë dhe andej nga Tropoja lidhjet me flotën për ne ishin shumë të pakta ose të vogla. Katër studentëve nga Tropoja na kishin dhënë bursë në Universitetin e Tiranës, por kryeministri i asaj kohe vendosi, që katër që kishin dalë më mirë me rezultate t’i çonte në Shkollën e Bashkuar. Unë natyrisht e refuzova menjëherë sapo shkova të bëja regjistrimin dhe vendosa të bëja një rrugë tjetër, një rrugë që do të më pëlqente për në të ardhmen”, tregoi për mënyrën se si u orientua drejt marinës, ku takimi me Skënder Doçin kishte patur rëndësi vendimtare.

“Duke e parë Skënder Doçin që kalonte çdo ditë përpara Pallatit të Kulturës, nuk njiheshim; i dola përpara dhe e takova. I thashë: “Jam i biri i filanit”. Ndaloi, më foli dhe i them atëherë: “Mua më kanë ndërruar bursën, më ka dalë për mjekësi, po më çojnë në ushtri, por unë nuk dua në ushtri”. Me një rreptësi që atëherë e dallonte, më tha: “Po unë si të dukem?”. Dhe unë e pashë me vëmendje; nuk kisha ç’të thoja më. Më tha: “Hajde me mua”. Epo mirë, po shkojmë mendova; ku do na çojë? Na futi në MM. Atje, sapo shkuam, thirri një apo dy anëtarë të stafit. U tha: “Merreni bashkë me grupin tjetër dhe të fillojë vizitat mjekësore”. Aty jeta ime ndryshoi. Unë nuk e përjetoja që do të vija nga gjimnazi i Bajram Currit në shkollën e marinës dhe do të bëhesha detar. Skënderi ishte bërë herët dhe natyrisht ishte bërë detar shumë i mirë. Jeta ndryshoi”, ndau me z. Therçaj CEO i SIGAL Insurance Group, z. Avni Ponari.

Për dokumentarin Avni Ponari solli edhe një rrëfim mjaft interesant, që nxjerr karakteristikat menaxheriale të detarit Doçi:

Shkolla mbaroi. Natyrisht, përfundimi i shkollës më hodhi në Shëngjin, aty ishte emërimi i parë. Këtu kam një detaj shumë të veçantë, shumë të rëndësishëm. Kishim dalë në patrullim me gjuajtësin detar. Natyrisht qëndruam 7 ditë dhe në ditën e tetë pasdite, poshtë PSV-së së Shëngjinit, unë pak i mërzitur se ishim 8 ditë në det, në një anije 30 veta, vinim vërdallë me njëri-tjetrin, mora pistoletën nga dhoma dhe shtiva në pulëbardha në kiç të anijes, sepse ishte mbushur me pulëbardha ngaqë marinarët hanin ushqime. Shtiva disa here, 4-5 herë. Pas 10 minutash, sinjali nga PSV-ja kërkonin të dinin kush shtiu. Marinarët u hodhën dhe thanë: “Mos tregoni emër, se ne nuk tregojmë”. U thashë të tregonim, se e dija që emri im do të dilte. “Avni Ponari ka shtirë”. Nuk u ndjenë, por alarmi ishte dhënë, ishte dhënë alarmi në bazë e deri në Ministrinë e Mbrojtjes. Skënderin e kishte thirrur MM të nesërmen në mëngjes. Me qetësi, më zbarkoi nga anija luftarake dhe më solli në bazë. Në bazë gjeta disa xhipa të zinj. Kur vinin xhipat e zinj, rreziku nuk ishte i vogël. Në këtë moment më thonë: “Shko në komandën e bazës lart”, por ajo që vura re, pashë që oficerët filluan të më largoheshin. Mendova: diçka paska ndodhur. U ngjita lart. U futa te zyrat. Aty ishte Skënder Doçi, Robert Bali dhe Tom Kola. Më thotë Skënderi me atë rreptësinë e tij, e cila e dallonte atë nga të tjerët, dallonte nga forma e komunikimit por nga shpirti ishte komplet ndryshe: “Pse e ke thyer urdhrin e ministrit?”.  “Nuk kam thyer asnjë urdhër”, i them. “Nuk po e kuptoj. Unë shtiva me pistoletë, se nuk e kisha provuar asnjëherë; fishekët do t’i paguaj; nuk besoj se ka ndonjë gjë për t’u shqetësuar”. “Ke thyer urdhrin e ministrit”, më tha. “Nuk njoh urdhër, nuk kam dijeni”. Skënderi iu kthye Tomës dhe Robertit: “E keni punuar urdhrin e ministrit apo jo?”, u tha. Urdhri atëherë ishte që ndalohej të shtihej me armë 500 m nga vija e ujit, nga jashtë, jo nga brenda. Këtë urdhër ne s’na e kishin punuar. Nuk e dija. “Ti mendon se jam i çmendur? Të kishte një urdhër ministri, po ta dija, nuk do e zbatoja?”. “Dil jashtë”, më tha. Dola jashtë, por ndenja pak jashtë dere. Dyert e komandës atëherë ishin me kompensatë. Dëgjohej zëri. Dëgjova Skënderin që tha: “Robert, me këtë lloj forme, ju i dëmtoni oficerët e rinj. Nëse urdhri nuk është punuar me të gjithë, i gjithë ky alarm, e gjithë kjo kërkesë, alarmi në gjithë ushtrinë, pse?”. “Jo”, tha, “e kemi punuar”. Në fakt nuk ishte punuar. Ajo kaloi siç ishte. Skënderi diti ta menaxhojë këtë situatë. Diti ta menaxhonte edhe në Ministrinë e Mbrojtjes. Unë mora vesh që më kishin paralajmëruar për çmobilizim nga ushtria më 1 maj, pas 6 muajsh, kur m’u hoq masa, sepse përsëri kishin vepruar në kundërshtim me atë që duhej të bënin, që ta komunikonin: për atë që bëre të është dhënë një masë. Por masa ishte regjistruar jashtë këtyre kritereve”.

Z. Ponari u ndal edhe te karriera politike që z. Doçi pati në të shkuarën: “Natyrisht që pushteti, duke parë aftësitë, lidershipin dhe karizmën e Skënder Doçit, e mbajti lart në strukturat shtetërore; ai ishte deputet i Kuvendit Popullor, ai ishte anëtar i Komitetit Qendror. Ai ishte komisar i flotës, komandant i flotës, kishte detyra të gjithanshme të cilat e bënin atë ndryshe nga të tjerët… Dhe me këto detyra ai kurrë nuk i përdori në asnjëlloj interesi të tij dhe nuk i përdori për të denigruar të tjerët”

Z. Ponari u ndal edhe te aftësite e z. Doçi, personale dhe profesionale, duke e konsideruar të lindur një njeri lider. “Ai ishte një komisar dhe komandant. Në pikëpamjen e lidershipit, Skënderi dallonte nga oficerët e tjerë të marinës; dallonte në mënyrën e komunikimit, në mënyrën e dhënies së urdhrave, në kërkesën e llogarisë dhe në shpirt të gjerë. Ishte më sensibël se sa shumë të tjerë që përpiqeshin të dukeshin, por nuk ishin. Ajo që dua të them është se shumë njerëz emërohen komandantë e komisarë, por nuk bëhen kurrë. Ndërsa Skënderi lindi komandant dhe komisar dhe përsëri mbetet i tillë aty ku është tani, dhe i uroj pleqëri të mbarë”, u shpreh Avni Ponari.

Z. Ponari e mbylli me urime dhe vlerësime të tij për figurën e Skënder Doçit, si një model i rrallë profesionalizmi dhe karakteri në historinë e marinës shqiptare, por edhe si përfaqësues dhe derë e rëndësishme e të rinjve të parë nga Tropoja në Tiranë.

 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat