27.5 C
Tirana
Tuesday, April 30, 2024
spot_img
Faqe KryesoreKryesoreAutoriteti i Konkurrencës miraton zgjatjen edhe për 3 vjet të marrëveshjes së...

Autoriteti i Konkurrencës miraton zgjatjen edhe për 3 vjet të marrëveshjes së siguruesve për tregtimin e “Kartonit Jeshil”

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të zgjasë edhe për tre vjet të tjera përjashtimin nga ndalimi për marrëveshjen mes kompanive të sigurimit me objekt administrimin dhe tregtimin e “Kartonit Jeshil”.

Ky është përjashtimi i tretë nga ndalimi që ju njihet kompanive për produktin në fjalë, në vijim të vendimeve të mëparshme të Komisionit Konkurrencës në 2018 dhe 2020.

“Kartoni Jeshil” apo Çertifikata Ndërkombëtare e Sigurimit Motorrik mbulon të gjitha përgjegjësitë civile (dëmet materiale dhe shëndetësore), që mund të shkaktohen nga përdorimi i mjetit motorik jashtë vendit.

Çdo drejtues i një mjeti me targa shqiptare duhet të pajiset detyrimisht me një policë sigurimi Karton Jeshil kur udhëton jashtë Shqipërisë.

LEXO EDHE: 3 arsyet pse siguracionin “Karton Jeshil” duhet ta merrni nga SIGAL UNIQA

Objekt i marrëveshjes në fjalë është vendosja e një marrëdhënie bashkëpunimi mes shoqërive të sigurimit në tregun e sigurimeve të detyrueshme të mjeteve motorike të Kartonit Jeshil, lidhur me shitjen dhe administrimin e kartonit jeshil me qëllim kryesor përmirësimin dhe rritjen e garancisë.

Sipas Byrosë Shqiptare të Sigurimit, marrëveshja ka për objekt bashkëpunimin në lidhje me vendosjen e tarifave të primeve të rrezikut të zakonshëm bazuar në statistika të konstatuara kolektivisht ose në numrin e pretendimeve; vendosjen e kushteve të policave standarde të përbashkëta për eliminimin e policave false dhe vendosjen e sistemit të kodit unikal-bar kod dhe njoftimin në kohë reale në sistemin e informacionit të AMF-së të çdo police të “Kartonit Jeshil” dhe në shlyerjen e dëmeve.

Qëllimi i marrëveshjes është shitja e policave të “Kartonit Jeshil” nëpërmjet një numri të autorizuar operatorësh në pikat e kalimit kufitar dhe degët qendrore të shoqërive të sigurimit.

Procesi i shitjes realizohet me anë të shoqërisë së brokerimit të autorizuar nga Byroja, e cila ka stafin teknik, sistemin e shitjes online në kohë reale dhe broker fizik të licencuar.

Sipas Byrosë, marrëveshja synon të rrisë garancinë dhe sigurinë e këtij shërbimi në përputhje me standardet COB (Këshillit të Byrove) dhe rritjen e garancisë së drejtuesve të mjeteve, të cilët përdorin automjete përtej kufirit të Republikës së Shqipërisë, të cilët duhet të jenë të siguruar kur hyjnë në vende ku një sigurim i tillë është i detyrueshëm.

Gjithnjë sipas BSHS, marrëveshja synon edhe shmangien e kolapsit dhe një përjashtim të mundshëm të BSHS nga Sistemi Ndërkombëtar i “Kartonit Jeshil”.

Për eliminimin e policave fallco, tashmë polica e sigurimit “Karton Jeshil” është e vetmja policë sigurimi që printohet me QR Code.

Nga ana e BSHS është ngritur sistemi i kontrollit elektronik në kufi të policave të sigurimit të pajisura me QR Code dhe është në proces të përfundimit të marrëveshjes tri palëshe me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe AMF, me qëllim lehtësimin e këtij kontrolli.

Pasi ka analizuar argumentet e parashtruara nga Byroja, Komisioni i Konkurrencës ka vendosur të vazhdojë përjashtimin nga ndalimi Marrëveshjen e Bashkëpunimit mes ndërmarrjeve të sigurimit lidhur me shitjen dhe administrimin e “Kartonit Jeshil”.

Marrëveshja përjashtohet nga ndalimi, me kusht që secila prej ndërmarrjeve të sigurimit, pjesë e marrëveshjes, duhet të tregtojë produktin e “Kartonit Jeshil” nëpërmjet agjentëve të saj dhe polica e sigurimit duhet të përmbajë logon e kompanisë që e tregton dhe barkodin përkatës, duke shmangur koordinimin e sjelljes lidhur me ndarjen e pjesëve të tregut dhe caktimit të çmimeve mes palëve njoftuese të marrëveshjes.

Në rast të mos respektimit prej kompanive pjesëmarrëse në marrëveshje të kushteve dhe detyrimeve të përcaktuar në pikën 2, Komisioni i Konkurrencës do të ushtrojë kompetencën e tij të revokimit të këtij përjashtimi.

Gjithashtu, vendimi kërkon që çdo amendim i kësaj marrëveshjeje nga palët duhet të njoftohet për përjashtim pranë Autoritetit të Konkurrencës.

LEXO EDHE: Blini Online “Karton Jeshil”, përfitoni FALAS Asistencën Rrugore dhe shijoni udhëtimet tuaja jashtë Shqipërisë

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat