12.5 C
Tirana
Tuesday, April 30, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetAMF i hap rrugë ndarjes së 8.5 milionë eurove fitim të siguruesve

AMF i hap rrugë ndarjes së 8.5 milionë eurove fitim të siguruesve

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) në mbledhjen e kësaj jave vendosi të shfuqizojë ndalimin e fitimit të kompanive të sigurimit për vitin 2020.

Vendimi në fjalë ishte marrë në prill të vitit të kaluar dhe ndalonte shoqëritë e sigurimit të pezullojnë shpërndarjen e fitimit të vitit 2020, në formën e dividendëve ose të dividendëve të ndërmjetëm ose në formën e pagesave të bazuara në pjesëmarrjen në fitim të anëtarëve të këshillit të administrimit apo atij mbikëqyrës të shoqërisë apo punonjësve të tjerë.

Vendimi kishte për qëllim ruajtjen e nivelit të likuiditetit dhe treguesve financiarë të shoqërive të sigurimit, në një periudhë kur zhvillimet e lidhura me pandeminë shtronin ende pasiguri për të ardhmen dhe e bënin të vështirë parashikimin e efekteve të mundshme negative mbi tregjet financiare.

Tashmë që efektet e pandemisë janë zbehur ndjeshëm, AMF i ka hapur rrugë shpërndarjes së fitimeve të vitit 2020.

Mbështetur në të dhënat e AMF, për vitin 2020 kompanitë e sigurimeve realizuan një fitim neto në vlerën e 1.04 miliardë lekëve ose 8.5 milionë eurove. Rreth 85% e kësaj shume i takon shoqërive të sigurimit të jo-jetës, ndërsa pjesa e mbetur prej 15% ishte fitimi i shoqërive të sigurimit të jetës.

Megjithëse ishte një vit i vështirë dhe në të u reflektuan efektet e tërmetit të nëntorit 2019 dhe të pandemisë, fitimi i kompanive të sigurimit rezultoi në rritje me afërsisht 23% krahasuar me një vit më parë. Kjo erdhi kryesisht për shkak të rritjes së ndjeshme të pjesës së risiguruesve në dëmet e paguara dhe të lidhura sidomos me tërmetin e vitit 2019.

Me vendimin e Bordit të AMF, këto shuma mund të shpërndahen si dividendë, nëse aksionerët e kompanive do ta gjykojnë të arsyeshme.

Pezullimi i shpërndarjes së fitimeve ishte një praktikë që u ndoq nga rregullatorët e tregjeve financiare në periudhën pas pandemisë, me qëllim forcimin e kapitalizimit të institucioneve të mbikëqyrura, në kushtet e rreziqeve të shtuara.

Një qasje të ngjashme ka ndjekur në këtë periudhë edhe Banka e Shqipërisë kundrejt bankave tregtare. Më herët këtë vit, Banka e Shqipërisë vendosi që pezullimi i shpërndarjes së fitimeve për bankat të ngelet në fuqi për fitimet e realizuara gjatë vitit 2021, si dhe ato që mund të realizohen gjatë këtij viti.

Ndërkohë, deri tani, AMF nuk ka njoftuar vendime për të pezulluar apo kufizuar shpërndarjen e fitimeve të vitit 2021.

Të dhënat e deritanishme tregojnë se deri në fund të 9-mujorit 2021 fitimi neto i kompanive të sigurimit arriti në 1.15 miliardë lekë.

Segmenti më i madh i tregut, ai i sigurimeve të jo-jetës, këtë vit po shfaq një performancë më të mirë. Fitimi neto ka arritur në 1.07 miliardë lekë, me një rritje prej 3.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. /Monitor

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat