8.5 C
Tirana
Thursday, November 21, 2024
spot_img
Faqe KryesoreCovid-19A besoj në parandalimin e COVID-it në shkolla?!

A besoj në parandalimin e COVID-it në shkolla?!

Nga Dr. Erion Dasho

Hapja e shkollave ndërkohë që Shqipëria po kalon një valë të re të epidemisë së COVID-it nuk mund t’i shpëtojë debateve.

Miq realë dhe virtualë kanë nisur të shprehin zemërimin lidhur me kufizimet e vitit të ri shkollor. Me sa duket fëmijët i pret një tjetër vit me orë të shkurtuara, orare të “çuditshme”, maska, etj.

A duhet të ekzistojnë kufizime lidhur me rikthimin në shkollë?

Sigurisht që po!
Në Izrael qarkullon prej kohësh frika se ç’do të ndodhë me epideminë pasi të rihapen shkollat në tetor dhe CDC-ja amerikane në korrik publikoi rekomandimin e rishikuar për hapjen e sigurt të shkollave.
Fatkeqësisht, viti shkollor 2021-22 duket se do të jetë i treti vit “anormal” për fëmijët dhe të rinjtë në gjithë botën.
Kjo është një tragjedi e vërtetë nga pikëpamja e edukimit dhe zhvillimit psikosocial. Pasojat e plota të çrregullimit të sistemit arsimor për qindra milionë fëmijë në gjithë botën janë të vështira për t’u parashikuar, por dëmi sigurisht do të jetë kolosal.
Ajo që bota po bën për të parandaluar COVID-in në shkolla është vendosja e balancës midis sigurisë dhe normalitetit. E vështirë për t’u arritur, por jo e pamundur!
Po në kushtet e Shqipërisë? A do të kenë impakt masat e marra në sistemin arsimor?

Personalisht, besoj pak ose aspak.

Qeveria shqiptare, ministria e shëndetësisë dhe komiteti i të ashtuquajturve “ekspertë” që prej fillimit të pandemisë kanë ndjekur përafrimin e strucit. Ata nuk marrin asnjë masë nëse kanë qoftë edhe vështirësinë më të vogël për të kontrolluar zbatimin e saj.

Një masë në shkollë është gjëja më e lehtë për t’u kontrolluar, por çfarë do të ndodhë paralelisht në komunitet?!

Mirë arsimtarët që mund t’i kërcënosh me bukën e gojës dhe t’i detyrosh të vaksinohen (apo të blejnë një certifikatë vaksinimi të falsifikuar), po atë përqindje të konsiderueshme qytetarësh ende të pavaksinuar??!!

Mirë fëmijët mund t’i detyrosh të mbajnë maskën prej lecke dhe të respektojnë distancën, po udhëtarët në transportin publik??!!

Mirë për studentët mund të aplikosh pasaportën e gjelbër për të hyrë në auditor, po për të disiplinuar hyrjen në mejhane, bare dhe restorante?!

Përgjigja shqiptare ndaj COVID-it nuk ka dështuar sot! Ajo ka lindur e dështuar, pasi u dominua nga politika dhe “ekspertët” e paaftë dhe puthadorë.

Shqiptarët u lanë në mëshirën e virusit dhe, fatkeqësisht, virusi u tregua i pamëshirshëm duke vrarë të paktën 15 mijë shqiptarë.

Të krijosh një “ishull të sigurt” në shkollë është masë e vlefshme nëse vendoset në një kontekst të përgjithshëm parandalimi, por e vetmuar impakti i saj është minimal.

Përvoja e vendeve që po e menaxhojnë me sukses pandeminë flet për nevojën e masave gjithëpërfshirëse që nuk lënë të çara për penetrimin e virusit.

Përndryshe…

Shqiptarët në mëshirën e virusit ashtu si kanë qënë deri më tani…

Lexo edhe: 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat