Rrugët në Shqipëri vijojnë të vrasin. Sipas të dhënave të INSTAT, në 11-mujorin e vitit 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 176 persona nga 168 persona të vdekur në të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe nga 203 persona të vdekur në po të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Në muajin Nëntor 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 11 persona, nga 15 persona të vdekur në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas INSTAT, në muajin Nëntor 2021 numërohen 106 aksidente rrugore nga 110 aksidente të ndodhura në muajin Nëntor 2020, duke u ulur me 3,6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në 11-mujorin e vitit 2021 numërohen 1.257 aksidente rrugore nga 1.121 aksidente të ndodhura në njëmbëdhjetëmujorin e vitit 2020, duke u rritur me 12,1%. Krahasuar me njëmbëdhjetëmujorin e vitit 2019, numri i aksidenteve është ulur 7,8%.
Në muajin Nëntor 2021, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 156 persona nga 139 që ishte në të njëjtën muaj të një viti më parë. Në njëmbëdhjetëmujorin e vitit 2021, numri i të aksidentuarve është 1.726 persona nga 1.451 persona në njëmbëdhjetëmujorin e vitit 2020.
Në 11-mujorin e vitit 2019, numri i të aksidentuarve ka qënë 1.857 persona.
Lexo edhe: Covid-19, Omicron, kancer, aksidente… Si të mbrojmë shëndetin në këto kohë të vështira
Drejtuesit e mjeteve, fajtorët kryesorë
Në muajin Nëntor 2021, aksidentet rrugore, në 85,8% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 23,6% të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 10,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në njëmbëdhjetëmujorin e vitit 2021, aksidentet rrugore, në 15,4% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është rritur 22,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Krahasuar me njëmbëdhjetëmujorin e vitit 2019, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur me 6,8%.