Një aksident i rëndë ndodhi dje në aksin Lezhë-Milot. Një automjet u përplas me një kamion.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit humbi jetën në vendngjarje, ndërsa dy pasagjeret në automjet morën dëmtime dhe u transportuan në Spitalin e Traumës.
Aty po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Po çfarë duhet ditur nga sigurimet?
Fajësia në aksident, duke qenë se aksidenti ka patur pasoja në jetë njerëzish, do të zbardhet vetëm nga hetimi i plotë i vendngjarjes por ajo që mund të thuhet paraprakisht është kjo:
TPL-ja e mjetit fajtor do të zhdëmtojë dëmet pasurore dhe jopasurore ndaj të tretëve, deri në masën 750 mijë euro për automjetin, deri në 1 milion euro për kamionin.
Pasagjerët e dëmtuar të automjetit, cilido qoftë fajtori, nga të dhënat e deritanishme përfitojnë zhdëmtim nga TPL-ja.
Rastet kur pasagjerët përjashtohen nga përfitimet nga polica e sigurimit TPL janë të shprehura qartë në kontratë sigurimi:
a) çdo bashkëudhëtar, që ndodhet me vullnetin e tij në mjetin motorik shkaktar të aksidentit, të drejtuar nga një drejtues i paautorizuar, kur provohet se personi që ndodhet në mjet ishte në dijeni të këtyre rrethanave;
b) çdo bashkëudhëtar, që ndodhet me vullnetin e tij në një mjet të pasiguruar, shkaktar të aksidentit, kur provohet se personi ishte në dijeni të kësaj rrethane;
Në rast se hetimi i plotë do të caktojë fajësinë te kamioni, trashëgimtarët ligjorë të drejtuesit të automjetit kanë të drejtën ligjore për plotësimin e dosjes së kërkesës së dëmshpërblimit nga TPL e kamionit.
Nëse hetimi vërteton të kundërtën, sipas parashikimeve ligjore dhe në kontratë, drejtuesi i mjetit, shkaktar i aksidentit, përfshirë këtu trashëgimtarët e tij ligjorë dhe të afërmit, për dëme që i shkaktohen këtij drejtuesi, përbën rast përjashtimi nga mbulimi.




