16.5 C
Tirana
Thursday, May 7, 2026
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitet"Sigurimet janë kartel", shkruante komentuesi. Demontimi në terma shkencorë nga Sigurime.Online

“Sigurimet janë kartel”, shkruante komentuesi. Demontimi në terma shkencorë nga Sigurime.Online

Tregu i sigurimeve në Shqipëri nuk mund të konsiderohet kartel sepse kompanitë operojnë si subjekte të pavarura që konkurrojnë me njëra-tjetrën në çmime, produkte, shërbime dhe oferta.

Sipas teorisë ekonomike, karteli është një marrëveshje mes operatorëve të tregut për të shmangur konkurrencën, për të fiksuar çmime ose për të kufizuar ofertën me qëllim rritjen artificiale të fitimeve. Në tregun shqiptar të sigurimeve nuk ekziston një mekanizëm i tillë i kontrollit të përbashkët të tregut.

Në tregun e sigurimeve shqiptare çdo operator që përmbush detyrimet ligjore mund të hyjë për të ofruar shërbimet e tij. Sigurisht, për të konkurruar përballë kompanive që kanë paguar 600 mln euro dëme në 28 vjet, duke dhënë prova gjendshmërie dhe korrektese, që kanë krijuar asete, kapitale dhe aftësi për përthithjen e burimeve njerëzore, çdokush do të haste në mungesën e avantazheve konkurruese. Mirëpo kjo e rrëzon elementin e kartelizmës.

Kompanitë e sigurimeve në Shqipëri kanë produkte të ndryshme, politika të ndryshme risku dhe strategji të ndryshme tregtare. Publiku thuajse e di se cilat janë ato kompani që kanë mbulimet më të larta, kombinimet më të mira, paketat më përfituese, pagesat më të shpejta, shtrirjen më të madhe të shërbimit.

Diferencat në prime, në mbulime, në shërbimin ndaj klientit dhe në trajtimin e dëmeve tregojnë se ekziston konkurrencë reale mes operatorëve. Vetë fakti që konsumatorët mund të zgjedhin mes disa kompanive dhe ofertave të ndryshme është tregues i mungesës së një karteli funksional.

Sa më shumë tregu shqiptar (A) të shtojë penetrimin në sigurime, (B) të rendë drejt produkteve vullnetare të sigurimeve, aq më shumë do ta kuptojë se tregu shqiptar i sigurimeve është larg të qenit një kartel.

Një figurë gjeometrike, e parë nga kënde të ndryshme, duket si figurë e ndryshme gjeometrike. Ndryshimi i dy parametrave më sipër, do të ndryshojë këndvështrimin dhe perspektivën mbi vetë industrinë.

Një kartel zakonisht synon të kufizojë konkurrencën duke mbajtur çmime artificialisht të larta ose duke kontrolluar prodhimin dhe ofertën. Në sigurime kjo do të ishte shumë e vështirë të realizohej, sepse tregu mbikëqyret nga autoritetet rregullatore, ndërsa kompanitë janë të detyruara të raportojnë të dhëna financiare, politika tarifimi dhe tregues të solvencës. Për më tepër, çdo kompani përpiqet të rrisë pjesën e saj të tregut duke tërhequr klientë nga konkurrentët. Në Shqipëri, veçanërisht produktet vullnetare, janë edhe si çmime, edhe si raport çmim/mbulim, më të lirat në kontinent.

Edhe teoria ekonomike e kartelit pranon se kartelët janë struktura të paqëndrueshme, sepse anëtarët kanë gjithmonë interes individual të “tradhtojnë” marrëveshjen për të fituar më shumë klientë apo më shumë fitim. Kjo është edhe më e dukshme në tregun e sigurimeve, ku konkurrenca për çmime më të favorshme, produkte më fleksibël dhe rrjete më të gjera shitjeje është e vazhdueshme.

Në thelb, tregu i sigurimeve në Shqipëri funksionon mbi parimin e konkurrencës dhe jo të bashkërendimit të fshehtë. Ekzistenca e disa operatorëve, luhatjet në çmime, ofertat e ndryshme dhe mbikëqyrja ligjore janë elementë që bien ndesh me vetë përkufizimin ekonomik dhe juridik të kartelit.

Mbi të gjitha, ajo që duhet thënë me të madhe është se tregu i sigurimeve në vend nuk është i vetërregulluar. Ai ka një mbikëqyrje të disafishtë në disa nivele. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Autoriteti i Konkurrencës, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, çdo herë që një praktikë ngjall dyshime sado të vogla si tendencë sjelljeje prej karteli, e risjell në binarë përmes rekomandimeve apo shtrëngimeve të niveleve të ndryshme sipas parashikimeve ligjore. Në këtë kuptim, pretendimi se industria siguruese shqiptare është kartel, bazuar nga një panoramë e cunguar e momentit, e ndikuar nga keqraportime dhe definime të shkurtuara të eskpertëve që nuk e njohin në brendi tregun e sigurimeve, është i pasaktë.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat