20.5 C
Tirana
Monday, April 20, 2026
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetPjesa e dytë e intervistës në Gogo.al: Në tokë më e thjeshtë...

Pjesa e dytë e intervistës në Gogo.al: Në tokë më e thjeshtë se sa në det, si lindi dhe ku risigurohet SIGAL

Sigurime.Online sjell pjesën e dytë të zbardhjes së intervistës në podkastin e Gogo.al të drejtuar nga gazetarja Valmora Gogo

Gogo: Po për sigurimet shëndetësore, çfarë mund të thuhet?

Ponari: Sot bota është pak e kërcënuar nga sëmundjet kanceroze. Madje, është një nga rreziqet më të mëdha, masive. Ne kemi disa paketa që janë shumë interesante dhe të domosdoshme. Paketa kundër kancerit. Kjo do të thotë që çdo person mund ta marrë edhe online, edhe në të gjitha zyrat e SIGAL kudo në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo paketë mbulon deri në 1 milion euro.

Çfarë do të thotë kjo? Në rast se konstatohet, pasi je siguruar dhe ke kaluar periudhën e pritjes prej 3–6 muajsh, dhe pas kësaj periudhe rezulton se klienti është prekur nga kjo sëmundje, ne bëjmë verifikimin me dy opinione të ndryshme mjekësore jashtë vendit dhe vërtetojmë që ngjarja është reale. Më pas klienti ka të drejtë të zgjedhë ku dëshiron të trajtohet, në një nga tre spitalet që ofrojmë në Francë, Gjermani dhe Itali, dhe ne i ofrojmë shërbimin. Mbulimi është deri në 1 milion euro.

Kohët e fundit kam bërë një postim ku përmendja një punonjëse banke, madje e quajta “mikesha ime”, e cila pati fatin e keq të diagnostifikohej me një sëmundje të tillë, por edhe fatin e mirë që u trajtua në spital, u shërua dhe sot është “cancer free”, pa asnjë shenjë të sëmundjes. Trajtimi ishte në nivelin e duhur. Ne kemi paguar rreth 120 mijë euro për të në një spital në Francë.

Shumë njerëz thonin: “Jo, s’ka mundësi, si është e mundur?” Këtu vjen mosbesimi për të cilin folëm më parë. Kur paguhen 200 apo 300 euro për një sigurim të tillë, që është sigurim i veçantë, përveç atij “gold” që të jep akses në çdo klinikë brenda dhe jashtë Shqipërisë, në spitale private dhe kudo ku ndodhesh, do të thotë që ti je i lirë. Nuk ke nevojë të më pyesësh mua: shkon, mjekohesh, dorëzon faturat ose spitali lidhet me ne dhe ne japim garancinë. Ti nuk paguan asgjë.

Të gjitha janë të vërteta. Njerëzit mosbesues, për mua, janë ata që nuk u japin besim të tjerëve, sepse vetë priren të gënjejnë ose të manipulojnë dhe projektojnë tek të tjerët atë që kanë në mendjen e tyre.

Gogo: Pas debatit për djegien e pallatit pati disa informacione të pavërteta. Secili flet nga pozitat e veta: dikush si influencer, dikush si i interesuar në një industri të caktuar. U pa që edhe aty debati u ndikua nga interesa të ndryshme. Në këtë bisedë e sqaruam që është shumë e thjeshtë. Ne urojmë të mos na duhet kurrë t’i marrim ato para, por njeriu duhet të mendojë për ditën e keqe.

Ponari: Amerikanët thonë: më mirë të kesh një siguracion dhe të mos e përdorësh gjithë jetën, sesa të mos e kesh kur të duhet, sepse humbjet mund të jenë të mëdha.

Nëse je i siguruar dhe nuk e përdor, mos u mërzit dhe mos e shiko si humbje. Ndihu me fat. Nuk thotë askush “u sigurova për 10 vite dhe nuk përfitova asgjë”. Përkundrazi, duhet të jesh i lumtur që ke bërë kontrolle shëndetësore për vite me radhë dhe ke pasur akses në shërbime në Europë. Kjo do të thotë që ke zgjedhur të jesh i kujdesshëm dhe i shëndetshëm.

Nuk ka pse mërzitet dikush pse paguan sigurime dhe nuk i përdor. Duhet të jesh i lumtur që nuk ke probleme, që ke një jetë të qetë dhe një shëndet të mirë.

Gogo: Dje po diskutonim për sigurimin e shtëpisë. Kur ndodhin raste të frikshme si djegia e pallatit, atëherë kuptojmë rëndësinë e mbrojtjes. Nuk duhet ta mendojmë vetëm atëherë.

Ponari: Po, por në atë rast ka edhe gabime të mëdha teknike. Vendosja e polisterolit në fasadë është gabim serioz dhe përgjegjësi e ndërtuesit dhe e atyre që kanë ndjekur punimet. Gjëja e parë është mbrojtja nga zjarri.

Ka edhe një problem tjetër ndërtimor: përdorimi i polisterolit në shtresat midis kateve, i kombinuar me betonin, është shumë i rrezikshëm në rast zjarri. Shpesh shohim që zjarri përhapet më shumë se sa duhet, edhe në kate ku nuk duhet të depërtojë. Kjo tregon mungesë kontrolli dhe përgjegjësie, nga projekti deri te zbatimi.

Sigurimi është i domosdoshëm sepse të jep qetësi. Njerëzit nuk janë gjithmonë në shtëpi; ata lëvizin. Sigurimi nuk është vetëm për zjarrin apo tërmetin, por edhe për vjedhje dhe rreziqe të tjera.

Shumë njerëz nuk kanë besim, por në fund ti ke një kontratë. Ti i ke shitur rrezikun një kompanie: paguan 200 euro dhe nëse ndodh dëmi, kompania mund të paguajë 100 mijë euro. Kjo është një kontratë ligjore.

Sigurimet nuk janë vullnetare në kuptimin e përfitimit të tyre: ti mund të zgjedhësh t’i bësh ose jo, por në momentin që i bën, hyn në një marrëdhënie ligjore si çdo kontratë tjetër. Prandaj duhet lexuar me kujdes çfarë mbulohet dhe çfarë përjashtohet.

Ka raste abuzimesh, për shembull sigurime shumë të lira që përdoren për shërbime të mëdha spitalore jashtë vendit. Kjo krijon keqkuptime dhe pastaj njerëzit thonë se kompanitë nuk paguajnë. Por në fakt, çdo produkt ka kufijtë e vet.

Shëndeti në udhëtim, për shembull, mbulon emergjencat, jo operacione të mëdha të planifikuara. Nëse dikush bën sigurim pasi ka ndodhur problemi, nuk mund të funksionojë njësoj si sigurimi i makinës pas aksidentit apo i shtëpisë pas zjarrit.

Gogo: Kam lexuar që kompanitë kanë departamente kundër mashtrimit. Si funksionon në SIGAL?

Ponari: Çdo kompani ka investigatorët e saj. Çdo rast i dyshimtë hetohet. Ne kemi pasur raste në Gjermani ku klienti kërkonte të kryente operacion me sigurim shumë të ulët, edhe pse ishte diagnostikuar më parë. Spitali na dha informacionin dhe rasti u hetua.

Mashtrimi në sigurime është i dënueshëm me ligj. Prandaj duhet kujdes dhe korrektësi nga të dyja palët.

Gogo: Ju si kompani ku siguroheni? Ku sigurohet SIGAL?

Ponari: Industria e sigurimeve është e ndërtuar me disa nivele: klienti, ndërmjetësi (brokeri ose agjenti), kompania e sigurimeve dhe më pas kompanitë e risigurimit.

Ne bashkëpunojmë me kompani shumë të mëdha risigurimi si Munich Re, Swiss Re, Hannover Re, American Re dhe të tjera. Këto kompani marrin përsipër rreziqet e mëdha në botë.

Të gjitha dëmet në Shqipëri janë të risiguruara, që do të thotë se garantohet pagesa e tyre edhe për vlera shumë të mëdha. Për shembull, kartoni jeshil apo sigurimet e udhëtimit mbulohen në nivel ndërkombëtar.

Edhe sëmundjet e rënda janë të risiguruara me kompani si Swiss Re. Pra, sistemi është i garantuar në nivel global.

Gogo: Si ia keni dalë të jeni të parët në treg?

Ponari: Duhet të kesh një qëllim dhe ta ndjekësh me disiplinë. Unë vij nga detaria, kam qenë kapiten anijeje dhe kam lundruar 10 vite. Drejtimi i një anijeje është shumë kompleks; është si të drejtosh një shtet në lëvizje.

Kjo eksperiencë më ndihmoi shumë në biznes. Për mua, drejtimi në tokë ishte më i lehtë.

Gogo: Si lindi ideja për kompaninë?

Ponari: Pas vitit 1992 u largova nga marina dhe fillova në kompaninë e parë shtetërore të sigurimeve. Aty krijova departamentin e marinës. Më pas shkova në Angli për trajnim dhe u lidha me profesionistë të industrisë.

Kur u ktheva në Shqipëri, vendosa të hap kompaninë time me vetëm 5 persona. Sot jemi rreth 2000 punonjës në 3 shtete.

Gogo: Ku siguroheni ju si kompani?

Ponari: Ne jemi të risiguruar në tregjet më të mëdha botërore. Kjo na jep stabilitet dhe garanci për çdo qytetar dhe biznes.

Gogo: Si i edukoni njerëzit për sigurimet?

Ponari: Duhet edukim që në shkollë. Fëmijët duhet të rriten me idenë se sigurimi i jetës, makinës apo shtëpisë është pjesë normale e jetës. Nëse rriten pa këtë kulturë, do të vazhdojnë të mos e kuptojnë rëndësinë e tij.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat