Humbja e jetës së peshkatarit 61-vjeçar pranë ishujve të Ksamilit, në rrethana që paraprakisht lidhen me motin e keq, shtron diskutimin nëse sigurimi nga aksidentet personale do të ishte aktivizuar në këtë rast apo jo.
61-vjeçari po ushtronte peshkimin në det.
Sipas kushteve të përgjithshme të sigurimit “Aksidente Personale”, mbytja konsiderohet shprehimisht një aksident.
Neni 3 i kontratës e përfshin mbytjen në përkufizimin e ngjarjes aksidentale, së bashku me asfiksinë, goditjen elektrike, ngrirjen, rëniet nga lartësia dhe ngjarje të tjera të papritura që shkaktojnë humbjen e jetës ose dëmtime trupore.
Kjo do të thotë se, nëse një peshkatar kishte lidhur një policë aktive të sigurimit nga aksidentet personale dhe kishte deklaruar peshkimin si profesionin e tij, humbja e jetës nga një mbytje aksidentale, në parim, hyn në objektin e mbulimit të policës.
Në rast vdekjeje nga aksidenti, kontrata parashikon pagesën e 100% të shumës së siguruar në favor të përfituesve të përcaktuar ose trashëgimtarëve ligjorë.
Në praktikë, një mbulim me shumë sigurimi 3 milionë lekë mund të kushtojë rreth 12 mijë lekë në vit (në varësi të moshës, profesionit, shumës së siguruar dhe tarifave të siguruesit).
Në një rast të tillë, familjarët do të kishin të drejtë të përfitonin 3 milionë lekë dëmshpërblim, nëse plotësohen kushtet e kontratës dhe nuk zbatohet ndonjë përjashtim.
Nëse polica ka qenë në fuqi, nëse primi është paguar, nëse profesioni është deklaruar saktë dhe nëse ngjarja nuk bie në ndonjë nga përjashtimet e parashikuara në kontratë, atëherë ky lloj sigurimi aktivizon menjëherë dëmshpërblimin.
Ngjarja e Ksamilit është një kujtesë se sigurimi nga aksidentet personale nuk është vetëm për profesionet industriale apo ndërtimin.
Për ata që punojnë në det, në peshkim, në bujqësi apo në profesione të tjera me ekspozim ndaj rrezikut, një policë e tillë mund të sigurojë mbështetje financiare të rëndësishme për familjen në rast të një tragjedie të papritur.
Në shumë raste, një prim relativisht i ulët vjetor mund të përkthehet në një dëmshpërblim të konsiderueshëm për përfituesit në rast humbjeje jete nga aksidenti: drama psiko-emocionale dhe sociologjike e humbjes së një të afërmi, të paktën nuk kthehet në dramë ekonomike.




