20.5 C
Tirana
Wednesday, October 22, 2025
spot_img
Faqe KryesoreEkonomiRruga e Arbrit, barriera që nuk mbrojnë

Rruga e Arbrit, barriera që nuk mbrojnë

Një automjet, dy ditë më parë, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në humnerë poshtë urës në Rrugën e Arbrit, pranë zonës së Brarit.

Ngjarje të tilla në këtë segment rrugor janë të përsëritura. Portale dhe rrjete të ndryshme sociale ngrinin me të drejtë një pyetje: si ka mundësi që barrierat metalike nuk e kanë mbajtur dot brenda rrugës automjetin?

Në aksidentin e fundit, ashtu si në disa raste të mëparshme, barrierat anësore nuk e kanë kryer funksionin e tyre.
Këto barriera janë projektuar për të zbutur energjinë e përplasjes dhe për ta rikthyer automjetin në rrugë, duke e anuar atë, por ndodhi e kundërta: mjeti përfundoi në humnerë, ndërsa barrierat nuk arritën ta ndalonin.

Përsëritja e shpeshtë e këtij skenari ngre një pyetje të domosdoshme:

A është rishikuar cilësia e punimeve, projektimi i barrierave dhe standardet e sigurisë në një nga veprat më të përfolura infrastrukturore të vendit?

Barrierat mbrojtëse dhe funksioni i tyre

Barrierat anësore metalike, të njohura si W-beam guardrails, kanë për qëllim përthithjen e energjisë së përplasjes dhe drejtimin e automjetit anash, për ta mbajtur atë brenda korsisë së qarkullimit.

Në praktikë, megjithatë, situata në shumë segmente të Rrugës së Arbrit është krejt ndryshe.
Në disa vende barrierat mungojnë, në të tjera janë të shtrembëra, të dëmtuara ose të paqëndrueshme. Pas përplasjeve më të lehta, duket sikur autoritet nuk janë kujtuar t’i riparojnë dhe përforcojnë ato.

Në kushte normale ato duhet të përballojnë përplasjet e automjeteve të mesme, por janë shembur edhe pas goditjeve minimale, duke lënë mjetet të përfundojnë në terrene të pjerrëta ose poshtë urave.

Siguria rrugore është thelbësore për parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së udhëtarëve. Ajo ndikon drejtpërdrejtë në kostot ekonomike, sociale dhe psikologjike që sjellin aksidentet automobilistike në komunitetet tona.

Rrugët nuk kanë vetëm funksion ndërlidhës mes destinacioneve, masat si sinjalistika, kufizuesit e shpejtësisë, ndriçimi i mirë dhe barrierat mbrojtëse e ulin ndjeshëm rrezikun e përplasjeve, sidomos kur rrugët janë të projektuara dhe mirëmbajtura sipas standardeve.

Barrierat metalike janë vetëm një ndër elementet e sigurisë së qarkullimit në Rrugën e Arbrit, për të cilin ngrihet një pikëpyetje e madhe:

A e kanë kryer me përgjegjshmëri dhe sipas ligjit punën e tyre institucionet përgjegjëse për projektimin, mirëmbajtjen dhe mbikëqyrjen teknike të kësaj rruge?

Problem edhe në terma të kostos financiare

Lind një pyetje thelbësore: kush duhet të mbajë përgjegjësi për dëmet që ndodhin në rrugë?

Shpesh, çdo aksident apo dëm i ndodhur në qarkullim i faturohet kompanive të sigurimit, ndërkohë që në shumë raste shkaku qëndron tek mungesa e barrierave mbrojtëse, sinjalistikës, gropat, apo mospërputhjet në standardet e rrugëve, elementë që janë në fakt përgjegjësi e enteve rrugore.

Kjo ngre nevojën për të diskutuar më seriozisht konceptin e përgjegjësisë rrugore në Shqipëri: a duhet që tregu i sigurimeve të mbajë barrën e dëmeve që shkaktohen nga neglizhenca institucionale, apo është koha që institucionet publike të japin llogari për sigurinë dhe cilësinë e infrastrukturës rrugore?

A duhet që të marrin përsipër edhe barrën ligjore dhe financiare për aksidentet? Shoqëria dhe profesionistët mund ta diktojnë këtë drejtim të duhur dhe të drejtë.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat