Një zjarr gjigant përfshiu kompleksin e ngarkesave në aeroportin e Dhakës, duke shkaktuar dëme të rënda materiale. Flakët shpërthyen të shtunën në sektorin e importit, duke detyruar pezullimin e përkohshëm të fluturimeve.
Të dielën, tymi vijonte të ngrihej nga rrënojat ndërsa zjarrfikësit numëronin dëmet. Sipas raportimeve janë djegur lëndë të para, produkte gati për eksport dhe mostra veshjesh të destinuara për tregjet perëndimore, vetëm një pjesë e tyre nën sigurim.
Shoqata e Eksportuesve të Veshjeve paralajmëroi për humbje që mund të arrijnë në miliona dollarë. “Janë shkatërruar mallra me vlerë të lartë dhe mostra që garantonin kontrata të reja,” deklaroi zëvendëspresidenti i BGMEA, Inamul Haq Khan.
Ai shtoi se humbja e mostrave mund të ndikojë në të ardhurat e ardhshme të industrisë.
BGMEA ka nisur mbledhjen e të dhënave nga eksportuesit e prekur për të përllogaritur dëmet. Kompleksi i ngarkesave trajton mbi 600 ton mallra në ditë, duke e bërë një nyje kritike për eksportet.
Shkaku i zjarrit ende nuk dihet, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet. Kjo është ngjarja e tretë e madhe e këtij lloji në Bangladesh brenda një jave. Zjarrvënia ndodhi në kulmin e sezonit të eksportit, duke rrezikuar afatet e dorëzimeve ndërkombëtare.