Bizneset në sektorin e bujqësisë, ndërtimit dhe industrisë përpunuese shprehen se norma e refuzimit të kërkesave të tyre për kredi nga bankat është shumë e lartë.
LEXO EDHE: E braktisur nga bankat/ Kredia për bujqësinë gjatë 2023, më pak se 1% e totalit
Në një anketim të realizuar nga Këshilli i Investimeve me bizneset dhe bankat, rezulton se ka një mospërputhje midis sektorëve që perceptojnë një nevojë më të madhe për burime financiare dhe sektorëve që institucionet financiare janë më të gatshme për të mbështetur.
Të dhënat nga pyetësori tregojnë se bujqësia, ndërtimi dhe industria përpunuese perceptojnë një nevojë më të madhe për burime financiare. Ndërkohë që 9 banka kanë raportuar se janë më të prirura për të financuar sektorët e turizmit, energjisë dhe shërbimeve, përcjell Scan TV.
Sipas bankave, ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme janë fokusi kryesor i aktiviteteve të tyre dhe tregojnë një rritje të kreditimit të këtij sektori gjatë tre viteve të fundit. Megjithatë, sipas të dhënave të Bankës Botërore, Shqipëria renditet ende e fundit në rajon për kreditimin nga bankat për bizneset dhe për numrin e bizneseve që përdorin bankat tregtare si burim financimi.
Bizneset raportojnë se kërkesat për dokumentacion perceptohen si të tepërta dhe vazhdimisht në rritje, procesi është tepër burokratik, me kërkesa të panevojshme, procedura të gjata dhe vonesa të konsiderueshme, të tilla si konfirmimet e lirimit të kolateralit që zgjasin muaj për të përfunduar. Ndër ato biznese që nuk përmbushin këto kërkesa, vetëm 12% i drejtohen për financim institucioneve jobanka. Shumica e kompanive raportojnë se i marrin fondet e nevojshme nga burime alternative jashtë sistemit financiar.
Këshilli i Investimeve rekomandon që bankat të rishikojnë procedurat burokratike dhe dokumentacionin. Reduktimi i barrierave burokratike, thjeshtimi i dokumentacionit dhe sigurimi që proceset i trajtojnë klientët me dinjitet dhe respekt, duke i njohur ata si partnerë.
LEXO EDHE: Interesat e kredive dhe depozitave, çfarë pritet për qytetarët?