13.5 C
Tirana
Wednesday, December 18, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetMë 28 Janar, ankandi i parë për Obligacione 20-vjeçare

Më 28 Janar, ankandi i parë për Obligacione 20-vjeçare

Qeveria do të emetojë për herë të parë një Obligacion 20-vjeçar, i cili në kalendarin e emetimeve të Ministrisë së Financave cilësohet si testim tregu.

Ankandi i parë i këtij obligacioni parashikohet të zhvillohet më 28 Janar 2025 dhe kjo do të jetë hera e parë që tregtohet një titull i tillë.

Pas shumë vitesh hezitim, për herë të parë u testua tregu me Obligacionin 15-vjeçar në vitin 2021 dhe ai rezultoi shumë atraktiv për investitorët.

Sipas ekofin.al, Obligacioni me maturim 20-vjeçar do të testohet vitin e ardhshëm, pas preferencave dhe kërkesave të investitorëve, kryesisht fondeve të pensioneve për investime më afatgjata, më të qëndrueshme dhe me përfitueshmëri më të lartë në Titujt e Borxhit të Qeverisë.

Financat bënë me dije se ky instrument do të emetohet në muajin Janar dhe Qershor, si edhe do të rihapet në muajin Mars dhe Shtator.

Në emetimin e parë të këtij lloji, atë të parashikuar në fund të Janarit, shuma e planifikuar për emetim është 1.5 miliardë Lekë, ndërsa në rihapjen në mars do të emetohen edhe 1 miliardë Lekë të tjera, për një total prej 2.5 miliardë Lekë.

E njëjta gjë parashikohet të përsëritet edhe në dy ankandet e tjera të Obligacionit 20-vjeçar, në Qershor dhe Shtator.

Rritja e afatit të maturitetit të titujve të borxhit është tregues i konsolidimit të borxhit të Qeverisë, i cili që këtë vit parashikohet të zbresë në nivelin 55%, ndërkohë që arriti në vitin 2021 nivelin më të lartë prej 74%.

Përmirësimi i treguesve të borxhit solli edhe rritje për herë të parë të vlerësimit për Shqipërinë nga agjencitë e vlerësimit të kreditit, “Standard&Poor’s” dhe “Moody’s”.

Mbetet për t’u parë se cilat do të jenë interesat e kuponit të Obligacionit 20-vjeçar, në kushtet kur viti 2024 po mbyllet me të tendencë rënëse të tyre, edhe pas lëvizjeve të BSH në uljen e normave, përkundrejt inflacionit tashmë në dukje të stabilizuar.

Gjithësesi, ky lloj titull borxhi parashikohet të jetë atraktiv për investitorët dhe kjo do testohet që në ankandin e parë, atë të 28 Janarit.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat