Ka arritur në 7 miliardë lekë vlera e dëmeve të paguara bruto në fund të dhjetëmujorit, gati 23% më shumë se në periudhën janar – tetor 2023, ndërsa pjesa më e madhe e dëmeve të paguara i përket sigurimit motorik.
Referuar të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, rreth 5.2 miliardë lekë janë paguar vetëm për dëmin e makinave të përfshira në aksident, një rritje kjo me përafërisht 31%.
Sigurimi motorik përbën thuajse 74% të totalit të dëmeve të paguara bruto.
Por, sa ka qenë numri konkret i dëmeve të paguara?
Deri në muajin tetor, numërohen mbi 60 mijë dëme të paguara, 15.8% më tepër se në vitin 2023, kur numri i dëmeve ishte gati 52 mijë.
Rreth 57 mijë dëme janë paguar nga shoqëritë e sigurimit të jo-jetës dhe 3 mijë dëme nga shoqëritë e sigurimit të jetës.
LEXO EDHE: Besim i palëkundur/ SIGAL e mbyll edhe 10-mujorin në krye të tregut të sigurimeve
Ndërkohë në krahasim me periudhën janar-tetor 2023, llogariten 98% më shumë dëme të paguara nga “Kartoni Jeshil” për automjetet shqiptare që janë aksidentuar jashtë vendit tonë.
Rritja e dëmeve të paguara është pasojë e drejtëpërdrejtë e shtimit të lartë të numrit të aksidenteve gjatë këtij viti.
Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistikave, në 10 muaj kanë ndodhur gjithsej 1875 aksidente rrugore, rreth 42% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vetëm gjatë tetorit numërohen 142 aksidente rrugore, nga 98 që ishin në tetor 2023.