11.5 C
Tirana
Tuesday, December 3, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetKanceri i gjirit/ 1,5 milionë gra mund të shpëtonin çdo vit

Kanceri i gjirit/ 1,5 milionë gra mund të shpëtonin çdo vit

Në mbarë botën, kanceri është një nga tre shkaqet më të shpeshta të vdekjes së parakohshme tek gratë nën moshën 70 vjeç.

Nga 2.3 milionë gra që vdesin çdo vit si pasojë e kancerit, thuhet në një analizë të vitit 2023 të bërë nga komisioni i ngritur nga revista mjekësore britanike Lancet.

1,5 milionë prej tyre mund të shpëtonin, në se do të përmirësohej procesi i zbulimit të hershëm të sëmundjes. 800.000 vdekje të tjera mund të parandalohen nëse të gjitha gratë do të kishin qasje në trajtimin optimal të kancerit.

Diskutimi për kancerin tek gratë – sipas deklaratave të Komisionit Lancet, i cili dëshiron t’u bëjë rekomandime politikanëve që marrin vendime për organizimin e sistemeve shëndetësore dhe të kujdesit social – shpesh përqendrohet në “kancerin e grave”, si kanceri i gjirit ose i qafës së mitrës.

Megjithatë, çdo vit rreth 300.000 gra nën moshën 70 vjeç vdesin nga kanceri i mushkërive dhe 160.000 nga kanceri i zorrës së trashë. Në dekadat e fundit, në shumë vende me të ardhura të larta, numri i vdekjeve nga kanceri i mushkërive tek gratë është më i lartë se nga kanceri i gjirit, thotë Dr Izabele Soerjomataram, nënkryetare e Divizionit të Mbikëqyrjes së Kancerit në Agjencinë Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit (IARC), njëra nga drejtueset e Lancet.

Qasja feministe

Arsyeja kryesore pse gratë kanë qasje kaq të dobët në masat parandaluese, diagnostikimin e kancerit dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje është, para së gjithash, pabarazia gjinore. Prandaj Komisioni Lancet avokon për një “axhendë feministe” të re në trajtimin e kancerit, në mënyrë që të eliminohet kjo pabarazi mes gjinive, pra diskriminimi ndaj grave.

Në sistemet shëndetësore, siç pretendohet, në trajtimin e kancerit dhe në hulumtimin e kësaj sëmundjeje duhet të merren parasysh shumë më intensivisht nevojat e grave, në mënyrë që të zvogëlohet rreziku i kancerit në popullatën femërore në nivel global.

Gjatë përgatitjes së raportit “Gratë, pushteti dhe kanceri: Komisioni Lancet” një ekip ekspertësh ndërkombëtarë shumë të larmishëm në fusha të tilla si të drejtat e njeriut, barazia gjinore, ligji, ekonomia, sociologjia, parandalimi dhe trajtimi i kancerit, janë paraqitur edhe interesat e pacientëve.

“Në gjithë botën, çështja e shëndetit të gruas shpesh fokusohet në shëndetin e tyre riprodhues dhe në rolin e nënës, gjë që lidhet ngushtë me përkufizimin antifeminist të vlerës dhe rolit të gruas në shoqëri. Në të njëjtën kohë, çështja e kancerit është shumë më pak e trajtuar”, thotë Dr. Ofira Ginsburg, një këshilltare kryesore për kërkime klinike në Institutin e Kancerit të Qendrës për Shëndetin Global nga SHBA.

Faktorët e rrezikut

Duke gjykuar nga deklaratat e Komisionit Lancet, faktorët e rrezikut për shfaqjen e kancerit te femrat duhet të studiohen më saktë, duke pasur parasysh se janë më pak të njohur se faktorët e rrezikut kur bëhet fjalë për shfaqjen e kancerit tek meshkujt Ka indikacione të shumta se ekziston një lidhje e caktuar midis produkteve specifike të përdorura kryesisht nga gratë, për shembull për zbardhjen e lëkurës ose për “hekurosjen” e flokëve, dhe një rrezik të shtuar për kancer.

Shumë gra janë plotësisht të pavetëdijshme për faktorët e shumtë të rrezikut që mund të eliminohen relativisht lehtë: rreth 1.3 milionë gra të të gjitha grupmoshave vdiqën në vitin 2020 si rezultat i katër faktorëve më të rëndësishëm të rrezikut që ndikojnë në kancer: duhani, alkooli, mbipesha dhe infeksionet. Shumë gra thjesht i nënvlerësojnë këta faktorë. Kështu, një studim i vitit 2019 doli në përfundimin se vetëm 19 për qind e grave në Britaninë e Madhe që morën pjesë në një program ekzaminimesh parandaluese me qëllim zbulimin e hershëm të kancerit, madje e dinin se një nga faktorët kryesorë që ndikon në shfaqjen e kancerit të gjirit është alkoolit.

“Ne jemi të mendimit se ka ardhur koha që qeveritë të veprojnë për këtë me një politikë të bazuar në specifikat e seksit, një politikë që forcon ndërgjegjësimin për ata faktorë rreziku, domethënë redukton ekspozimin e grave ndaj këtyre faktorëve”, thotë. Dr. Izabele Soerjomataram.

Kërkesat e grave

Duke qenë se shumë gra në botë janë të diskriminuara për sa i përket mundësive të tyre për shkollim dhe punësim, ato shpesh nuk kanë burimet financiare të nevojshme për të paguar trajtimet e shtrenjta të kancerit.

Dhe ka edhe një problem tjetër: duke pasur parasysh se burrat në përgjithësi nuk marrin barrën kryesore të kujdesit për fëmijët, gratë që vuajnë nga kanceri shpesh nuk janë në gjendje të kujdesen për shëndetin e tyre, thotë një nga autorët e studimit, prof. Nirmala Bu-Pati, nga Universiteti i Malajas dhe Universiteti Queen’s Belfast. “Për shkak të normave të rolit gjinor, shpesh pritet që gratë t’i vënë nevojat e familjeve para nevojave të tyre apo edhe në kurriz të shëndetit të tyre, gjë që ndonjëherë e vështirëson përdorimin e shërbimeve shëndetësore.

Gratë si kujdestare të papaguara

Rolet diskriminuese ndërmjet gjinive janë përgjegjëse edhe për faktin se janë kryesisht femrat ato që marrin rolin e kujdestareve të papaguara të personave me kancer, kryesisht pa vlerësimin adekuat nga shoqëria. Kjo është arsyeja pse Komisioni Lancet bën thirrje për futjen e standardeve më të drejta dhe më gjithëpërfshirëse në lidhje me pagat për kujdesin e pacientëve me kancer. Diskriminimi ndaj grave në shumë shoqëri, sipas Lancet, është edhe arsyeja pse ngritja e grave në profesion në pozicione drejtuese në kërkimin e kancerit, politikën e kancerit apo qëndrimin ndaj kancerit në praktikë po “frenohet”.

Sipas tyre, kjo është një nga arsyet kryesore që sot ka kaq pak masa parandaluese të “përshtatura” sipas nevojave të grave, pra masa për trajtimin e kancerit të përshtatura për popullatën femërore. Kjo vlen edhe për spitalet, qendrat e trajtimit të kancerit ose institutet kërkimore, në të cilat, globalisht, gratë luajnë një rol udhëheqës në vetëm 16% të rasteve.“

 

Forcimi i të drejtave të grave

Për më tepër, Komisioni gjithashtu mbron respektimin e temave specifike gjinore në të gjitha fushat e politikave që lidhen me marrëdhënien me kancerin, domethënë udhëzimet që lidhen me atë temë – në mënyrë që t’u përgjigjet në mënyrë të drejtë nevojave dhe dëshirave të të gjitha gratë.

Për më tepër, thekson Komisioni, nevojiten strategji për të forcuar ndërgjegjësimin e grave për faktorët e rrezikut, pra simptomat e kancerit, si dhe përmirësime në fushën e aksesit të barabartë në trajtime për zbulimin e hershëm të sëmundjeve dhe diagnostikimin e kancerit. E gjithë kjo mund të sigurohet në një mënyrë më të mirë me përfaqësim të barabartë të grave në postet drejtuese, shton studimi i Komisionit Lancet. /DW

LEXO EDHE: Në emër të dashurisë dhe jetës/ Sigurimi nga sëmundjet kritike, 3 arsye kryesore pse është i rëndësishëm

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat