1.5 C
Tirana
Sunday, November 24, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetKredia për biznesin në 6-mujorin e parë, rritjen më të madhe në...

Kredia për biznesin në 6-mujorin e parë, rritjen më të madhe në një dekadë

Kredia për biznese u rrit me 12% mesatarisht në gjashtëmujorin e parë të vitit, duke shënuar një rritje vjetore rekord gjatë dekadës së fundit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, financimi i bizneseve nga bankat është rritur ndjeshëm në gjashtëmujorin e parë të vitit, duke reflektuar gatishmërinë më të lartë të bankave për financimin e kërkesës së shtuar të bizneseve për kreditim.

Krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, rritja e kredisë për biznesin ishte rreth 2 herë më e lartë.

Kredia në lekë për biznese shënoi rritje me norma dyshifrore, prej 17.4% në gjashtëmujorin e pare. Megjithatë, në tremujorin e dytë të vitit u vërejt edhe një rigjallërim i kredisë në valutë, që shënoi një normë të përmirësuar rritjeje duke kulmuar në 12% në muajin qershor.

Ndërkohë fenomeni i zhvendosjes së portofolit të kredisë nga euro në lekë ka vijuar edhe gjatë kësaj periudhe, por në nivele shumë më të ulëta se ai i vërejtur gjatë vitit 2023.

Sipas madhësisë së bizneseve, ka qenë kredia për biznesin e madh ajo që ka ndikuar në përshpejtimin e normave të rritjes.

Kredia për biznesin e madh, mbasi shfaqi stanjacion në dy vitet e fundit, ka treguar një rritje të fortë të financimit nga bankat në gjashtë muajt e parë të vitit.

Ajo shënoi një nga nivelet më të larta të rritjes prej 18%, nga 2% në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023.

Banka e Shqipërisë thekson se zgjerimi i kredisë së biznesit të madh reflekton, ndër të tjera, edhe financimin e projekteve infrastrukturore të qeverisë.

Paralelisht, portofoli i kredisë për biznesin e vogël dhe të mesëm u rrit me 6% gjatë pjesës së parë të viti 2024, normë kjo lehtësisht më e ulët se rritja prej 7% e shënuar në vitin 2023.

Brenda kësaj kategorie duket se ishin bizneset e mesme ato që kanë shfaqur ngadalësimin më të ndejshëm të kredisë për financimin e nevojave të tyre.

Bankat kanë rritur financimin e bizneseve në të gjithë sektorët e ekonomisë, por rritja më e lartë vihet re në sektorin e tregtisë. Kredia për këtë sektor u rrit me 13%, dyfishi i normës së rritjes të vërejtur në pjesën e dytë të vitit 2023.

Brenda vetë sektorit vihet re një kontribut i ngjashëm me vitin e kaluar të degës së turizmit, dhe një kontribut i rritur nga dega e transportit.

Po ashtu, financimi i bankave për bizneset e sektorit të ndërtimit ka qenë pozitiv dhe i qëndrueshëm. Kredia për këtë sektor u rrit me 6%, një normë kjo e ngjashme me mesataren e gjashtëmujorit të dytë të vitit 2023.

Për t’u përmendur edhe rritja dyshiforre me 12% e kreditimit për sektorin e bujqësisë, por megjithatë kontributi i tij ndaj rritjes së kredisë për biznese është pothuajse i papërfillshëm.

Norma mesatare e interesit për kreditë e reja në lekë për bizneset në tremujorin e dytë rezultoi 6.8% nga 6.6% që ishte në tremujorin e parë dhe 6.7% vitin e kaluar. Interesat janë rritur lehtas tek të tre kategoritë ndonëse ishte kategoria e kredive mbi 140 mln lekë ajo që ndikoi më shumë në muajt e fundit.

Interesat e kredisë në euro janë shfaqur të qëndrueshme këtë 6-mujor pas rritjeve të realizuara vitin e kaluar në reflektim të rritjes së normës bazë të euros nga Banka Qendrore Europiane.

Norma e interesit për kreditë në euro të bizneseve në tremujorin e dytë rezultoi 7%, duke qenë e njëjtë me tremujorin e parë dhe më lart se 6.6% e gjysmës së dytë të vitit.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat