Fundjava pritet të regjistrojë një tjetër kulm të të nxehtit afrikan në Shqipëri.
Në disa zona të izoluara termometri do të regjistrojë afro 41 gradë, ndërsa qarqet më të prekura do të jenë Elbasani, Fieri, Gjirokastra dhe Shkodra.
“Presim që përgjatë fundjavës të kemi temperatura 40 gradë në disa qarqe të Shqipërisë, do të jetë Shkodra, Gjirokastra, Berati. Parashikohet që deri në mesin e muajit mbetemi nën ndikimin e motit të nxehtë me temperatura të larta, megjithatë presim që termometri të jetë 40 dhe vetëm në disa zona të izoluara mund ta tejkalojë këtë vlerë”, thotë sinoptikanja Lajda Porja.
Sipas sinoptikanëve, edhe pse viti që shkoi regjistroi kulmin me temperatura deri në 43.6 gradë, vera e këtij viti është cilësuar si më e nxehta në histori për shkak të temperaturave të larta të regjistruara gjatë vitit.
“Përsa i përket Korrikut të këtij viti është shënuar 43.2 gradë, temperatura më e lartë, e cila është shënuar sërish në qarkun e Elbasanit. Kjo verë ka pasur më shumë ditë të nxehta krahasuar me vitin e shkuar”.
LEXO EDHE: OBSH: 175 mijë vdekje çdo vit nga i nxehti në Europë
Sipas Bankës Botërore, deri në vitin 2040, Durrësi do të jetë qyteti me rritjen më të madhe të valës së të nxehtit në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në raportin e rregullt ekonomik theksohet se në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor temperatura parashikohet të rritet deri në 7.5 gradë C krahasuar me nivelet para industriale.
Pas Durrësit, Shkodra, Tirana dhe Vlora janë qytetet që pritet të përjetojnë më së shumti valët e të nxehtit, me më shumë ditë me temperatura të larta.